OKB: Ukraina po kalon nga shporta e bukës në radhët e bukës

  • A.P /
  • 30 March 2022 - 17:02
OKB: Ukraina po kalon nga shporta e bukës në radhët e bukës

Lufta ruse në Ukrainë mund të çojë drejt krizës më të rëndë globale të ushqimit që prej Luftës së Dytë Botërore. Paralajmërimi erdhi nga kreu i Programit Botëror të Ushqimit, David Beasley, i cili tha për këshillin e sigurimit të OKB ditën e martë se lufta një mujore e kishte kthyer Ukrainën nga shportë buke për botën, në radhë për sigurimin e bukës.

“Po flasim për një katastrofë mbi katastrofat, pasi Ukraina po kalon nga shporta e bukës në radhët e bukës. Ne nuk do të kishim imagjinuar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhte. Nuk preket vetëm rajoni por do të kemi një impakt global, diçka që nuk e kemi parë prej luftës së dytë botërore”, tha David Beasley. Ai tha gjithashtu se 50% e grurit të blerë  për të ushqyer 138 milion njerëz rreth botës vjen nga Ukraina, dhe paralajmëroi se organizata do të duhet të reduktojë racionet për vendet në luftë si Jemeni.

Programi Botëror i Ushqimit, ushqen 138 milionë njerëz në më shumë se 80 vende, nga Etiopia në Afganistan, Sudani Jugor në Jemen, Nigeria në Siri.  Por tani lufta e Putinit po rrit kostot e sigurimit të asistencës ushqimore dhe organizata e ushqimit dhe bujqësisë vlerëson se 13 milionë njerëz të tjerë mundtë kenë vështirësi në sigurimin e ushqimit për shkak të luftës në Ukrainë.

Beasley shtoi më tej se Ukraina dhe Rusia prodhojnë së bashku 30% të furnizimeve botërore të grurit, 20% të misrit dhe 75-90% të vajit të lulediellit. Por ofensiva e Moskës ka detyruar fermerët t’i drejtohen fronteve të luftës, në vend që të merren me të mbjellat. Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron krizë të urisë, destabilizim të vendeve dhe emigracion masiv nëse konflikti vazhdon.

(Kosova Sot Online)