
Pas publikimit të rrenës, kryeredaktori i RTK jep dorëheqje

Enver Bajrami ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeredaktorit në RTK3.
Menaxhmenti i RTK-së, në mbledhjen e sotme ka miratuar kërkesën e tij, të parashtruar më 02.04.2022, për lirimin nga përgjegjësia e të autorizuarit për pozitën e lartëpërmendur.
Kjo kërkesë ka ardhur pasi ai e ka pranuar “përgjegjësinë profesionale dhe morale” pas publikimit të një lajmi të paverifikuar në edicionet e lajmeve, më 1 prill.
“Menaxhmenti i RTK-së vlerëson punën dhe angazhimin e deritashëm të Bajrami ashtu sikurse reflektimin e tij profesional sa i përket këtij lëshimi editorial”, thuhet në njoftimin për media të RTK-së.
RTK-ja ka thënë se do të mbetet e përkushtuar për vendosjen e një standardi të ri të përgjegjësisë dhe llogaridhënies me qëllim të ngritjes së imazhit si Transmetues Publik.
Më 1 prill, në lajmet qendrore të orës 19:30 në RTK, është publikuar lajmi se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të bëhej Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.
Transmetuesi publik në këtë rast ka rënë pre e këtij lajmi të rremë, pasi “informacioni” ishte dhënë nga akademikja gjermane, Suzana Starikov, si shaka e ditës së rrenave – 1 prillit.
(Kosova Sot Online)