
Rama pret Haradinajn në Tiranë

Pavarësisht mosmarrëveshjeve në të kaluarën përfshirë edhe incidentin në Berlin dhe padinë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e ka pritur sot në takim kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.
Haradinaj dhe Rama kanë diskutuar për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë në ekonomi, infrastrukturë dhe siguri e politikë të jashtme, njofton Haradinaj.
Ai përmes një postimi në “Facebook”, ka thënë se me Ramën kanë diskutuar edhe për projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, si dhe për dhënien e dyshtetësisë mes vendeve.
“Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në ekonomi, infrastrukturë, siguri e politikë të jashtme, ishin temat kryesore të takimit të sotëm me Kryeministrin Edi Rama. Bashkëbiseduam gjithashtu për projektin e Hekurudhës Prishtinë – Durrës si projekt i domosdoshëm për të dyja vendet, si dhe dhënien e dyshtetësisë për qytetarët tanë. Falënderova Kryeministrin Rama për ndihmën e shtetit shqiptar gjatë krizës energjetike në Kosovë dhe shpreha nevojën e gjetjes së mënyrave të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në këtë kohë aspak normale”, ka shkruar ai.
(Kosova Sot Online)