A ishte Albin Kurti ushtar i UÇK-së

  • A.P /
  • 05 April 2022 - 17:36
A ishte Albin Kurti ushtar i UÇK-së

Kryeministri Albin Kurti është i bindur se në Kosovë nuk janë 60 mijë veteranë të UÇK-së. “Nëse dikush dëshiron ta gënjejë veten, nuk mund të më gënjejë mua”, ka thënë ai, duke shtuar se “janë maksimalisht 20 mijë”.

Për kryeministrin, i cili e ka statusin e veteranit, 40 mijë persona të regjistruar në listën e veteranëve të UÇK-së janë duke mashtruar. Bashkëpunëtori i ngushtë i tij dikur, Dardan Molliqaj, tha të enjten se vetë Kurti “ka mashtru” dhe e quajti “veteran të rrejshëm” kreun e Ekzekutivit pas një aksioni simbolik të PSD-së para objektit të Qeverisë.

Një deklaratë e 2 marsit 1999 nga Zyra e Adem Demaçit u publikua javën e kaluar. Ajo përmbante njoftimin për ndarjen e rrugëve me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Shkak ishin zhvillimet e atëhershme në Rambuje, pasi marrëveshja e mundshme me Serbinë konsiderohej e dëmshme nga Zyra e Demaçit. Pjesë e kësaj zyreje ishte edhe Albin Kurti. Për ta, anëtarët e delegacionit kosovar në Rambuje i kishin braktisur parimet e UÇK-së.

Nga një zyrë që i shërbente UÇK-së, ajo ishte bërë zyrë për analiza, propozime dhe këshilla politike. Zyra e Demaçit ishte tërhequr nga misioni i saj i parë, siç thuhet në deklaratë, për të mos shkaktuar fërkime brenda UÇK-së, e cila ishte pjesë e delegacionit kosovar në Rambuje.

Po të enjten, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje Arlind Manxhuka publikoi në Facebook disa video të shkëputura, përmes së cilave synonte të dëshmonte se Kurti ishte pjesë e UÇK-së dhe se ai është gjithashtu veteran i luftës. Postimin e tij e ka shpërndau edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

Disa ish-komandantë konsiderojnë se Kurti ishte ushtar i UÇK-së

Ish-deputeti i LVV-së dhe ish-komandanti i UÇK-së, Rexhep Selimi, ishte ndër të parët që e kishte mbështetur idenë për të folur me admirim të madh për periudhën e angazhimit të Kurtit gjatë luftës.

“Ai (Albin Kurti) ka pasur detyra të sakta në lufën e UÇK-së. Ka pasur gatishmëri, të cilën e dëshmon edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sylejman Selimi”, kishte thënë Selimi në një paraqitje në televizionin Dukagjini.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa e kishte konsideruar Kurtin bashkluftëtar.

“E njoh, e kam pasur bashkëluftëtar. Shumë njerëz e kanë kryer punën edhe nga Prishtina. Me Albin Kurtin jam takuar edhe në vende të tjera, edhe në shtabe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, kishte thënë Mustafa.

Sylejman Selimi, ish-komandant i Zonës Operative të Drenicës, kishte folur gjithashtu për këtë.

“Normal që Albin Kurti ka qenë pjesë e UÇK-së dhe ne jemi takuar disa herë gjatë luftës me të”, kishte thënë në Selimi 

Këta dy të fundit, Kurti iu sugjeronte deputetëve të Kuvendit t’i pyesin se a ka qenë pjesë e UÇK-së.

“Se a kam qenë UÇK pyete Sylejman Selimin dhe Rrustem Mustafën – dy komandantat të tregojnë”, pati thënë Kurti në një rast në Kuvend.

Mbështetësit e bëjnë Kurtin ushtar me photoshop

Mbështetësit e kryeministrit e kanë bërë tashmë atë ish-ushtar të UÇK-së.

Programi për redaktimin e fotografive, Adobe Photoshop iu ka ndihmuar disa mbështetësve të Albin Kurtit që t’ia veshin atij uniformën e UÇK-së

Në një prej tyre, Kurti e zëvendëson ish-komandantin e Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtakun në krah të ish-komandant të përgjithshëm të UÇK-së.

Sami Lushtaku thotë se “dihet” se ku ka qenë gjatë luftës Albin Kurti.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës tha të shtunën për Express se e kishin lutur kryeministrin që ta kapte armën gjatë luftës.

“As s’u kanë ushtar… dihet ku u kanë o burrë, a p’e di. e kemi lutë me i kapë armët, s’ka guxu…”, ka thënë Lushtaku.

Ai e quajti veteran të rrejshëm kryeministrin Albin Kurti.

(Kosova Sot Online)