SHBA sanksionon edhe dy vajzat e Putinit

  • A.P /
  • 06 April 2022 - 17:34
SHBA sanksionon edhe dy vajzat e Putinit

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për sanksionet e reja të vendosura kundër Rusisë që përfshijnë bankat kryesore publike dhe private të Rusisë dhe dy vajzat e Vladimir Putinit, duke shtuar më shumë presion mbi ekonominë e vendit dhe elitën e saj për shkak të pushtimit në Ukrainë.

Sanksionet e reja godasin Maria Vorontsova dhe Katerina Tikhonova, dy vajzat e moshës madhore të Putinit dhe ish-bashkëshorten e tij, Lyudmila Shkrebneva.

Po ashtu, nga sanksionet e reja u goditën edhe gruaja dhe vajza e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov dhe anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Rusisë, duke përfshirë ish-presidentin Dmitry Medvedev dhe kryeministrin Mikhail Mishustin.

“Këta individë janë pasuruar në kurriz të popullit rus. Disa prej tyre janë përgjegjës edhe për ofrim të mbështetjes së nevojshme për të mbështetur luftën e Putinit kundër Ukrainës”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

“Ne besojmë se shumë nga pasuritë e Putinit janë të fshehura te anëtarët e familjes dhe kjo është arsyeja pse ne po i targetojmë ata”, u tha gazetarëve një zyrtar i lartë amerikan, duke iu referuar dy vajzave.

Shtëpia e Bardhë deklaroi gjithashtu sanksione që i “bllokojnë plotësisht” institucionet më të mëdha financiare publike dhe private të Rusisë, Sberbank dhe Alfa Bank, si dhe tha se të gjitha investimet e reja të SHBA-së në Rusi tani janë të ndaluara.

(Kosova Sot Online)