
Pse po i shtyhet operimi një pacientit kosovar në QKUK

Ramadan Zekaj e kishte të caktuar për sot operimin për unaza në Klinikën e Neurokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Por, atij iu shty operimi për shkak të mungesës së anesteziologut.
Laurenti, djali i Ramadanit, tha se anesteziologu ka munguar dhe se nuk kanë informacione për vendndodhjen e tij.
E të sigurt ai nuk e ka operimin as për nesër. Kjo pasi, sipas Laurentit, atij i është thënë se mund të hyjë nesër në operacion në rast se nuk ka vonesa në operimin e një personi me tumor.
“Ka pasur me hy në operim për unaza sot. Ka munguar anesteziologu dhe operimi nuk u bë. Nuk e dimë se ku është ai, doktori dhe shefi i Repartit nuk kanë faj sepse e kanë kontrolluar e të gjitha procedurat i kanë kryer. Operimi është shtyrë vetëm për shkak të anesteziologut. Na kanë thënë tash për nesër me u operu babai nëse nuk vonohen me operimin e një personi me tumor”, ka thënë ai.
Në ndërkohë, shefi i Repartit të Neurokirurgjisë, Besnik Elshani nuk ka pranuar që të komentojë këtë rast.
“Thirrne doktorin për këtë pune, jo mua”, ka thënë ai fillimisht
Por, më pas ai tha se problemi është zgjidhur duke mos dhënë më shumë detaje se çfarë është puna e mungesës së anesteziologut në këtë klinikë.
Por djali i Ramadanit që edhe sot mbeti pa u operu tha se kurrfarë zgjidhje nuk është bërë.
Ai ritheksoi se u është thënë që të presin deri nesër për të parë nëse kanë mundësi apo jo për ta futur në operim babanë e tij.
Kosova ndër vite është ballafaquar me mungesë të anesteziologëve.
Drejtori i Klinikës së Anesteziologjisë, Nehat Baftiu në janar të këtij viti pati thënë në “Rtv Dukagjini” se në QKUK janë vetëm 45 anesteziolog.
Ai tha se ka nevojë edhe për 100 të tjerë.
“Kolegët tanë që e kanë përfunduar domethënë janë sistemuar në njësi të tjera, ose spital private, ose kanë dal krejt jashtë, për kushte më të mira, paga më të mira ose për një jetë tjetër”, tha ai.
E në konkursin e fundit të ShSKUK-së për anesteziologë aplikuan vetëm gjashtë persona. Pesë prej tyre u pranuan menjëherë në punë, teksa për një QKUK-ja pati premtuar përgatitjen e një kontrate të veçantë.
Mungesë të anesteziologëve raportohet të ketë edhe në spitale rajonale.
(Kosova Sot Online)