Kurti flet me Lajçakun në Athinë

  • A.P /
  • 08 April 2022 - 16:57
Kurti flet me Lajçakun në Athinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit në Greqi.

Siç njofton Kryeministria, Kurti foli për angazhimin në një vit qeverisje dhe rikonfirmoi që integrimet europiane dhe euroatlantike nuk kanë alternativë. Ai potencoi domosdoshmërinë e ndihmës së Bashkimit Europian në këtë rrugëtim.

Në takim u bisedua për mbarëvajtjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces.

Kurti ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor e të balancuar. Ai ritheksoi se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.

“U bisedua edhe për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri veçoi faktin se jemi dy javë larg afatit për marrëveshje për këtë çështje, bazuar në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian. Duke e falënderuar për angazhimin dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian për dialogun, kryeministri shprehu mirënjohjen për kontributin, që po e japin edhe sa i përket raportit midis Kosovës dhe Serbisë, paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale”, thuhet në njoftim.

Në takim, gjithashtu u diskutua për invazionin dhe agresionin e paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë dhe ndikimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropë.

(Kosova Sot Online)