
Qeveria edhe 10 ditë afat për TRUST-in

Qeverisë së Kosovës i kanë mbetur edhe 10 ditë afat për shqyrtimin e propozimit të PDK-së, në këtë rast kërkesën e kryesisë së Kuvendit të Kosovës për ndryshimet ligjore që iu mundëson qytetarëve tërheqjen e një përqindje të kursimeve pensionale në TRUST.
Nëse ekzekutivi nuk i përgjigjet kuvendit, kjo iniciativë (projektligj) nga deputeti i partisë më të madhe opozitare, Bekim Haxhiu, hyn në procedurë parlamentare. Kryesia e Kuvendit më 21 mars ka proceduar kërkesën në Qeveri, dhe afati për shqyrtim është 1 muaj. Nga Qeveria dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk kanë treguar se kur pritet t’i kthehet një përgjigje parlamentit lidhur me këtë çështje.
Megjithatë, ish-ministri i Financave, Haki Shatri mendon se do të ishte veprim i gabueshëm dhe i dëmshëm edhe një tërheqje e kursimeve nga TRUST-i.
Derisa Shatri po thekson se Qeveria ka alternativa të tjera për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve, ka kërkuar veprime urgjente nga ekzekutivi për të zbutur te qytetarët, siç thotë ai ndikimin e madh të ngritjes së çmimeve për produktet esenciale ushqimore.
Sipas tij, tërheqja e kursimeve nga TRUST-i ka efektet negative për qytetarët, derisa thekson se përfituesit kryesor do të jenë tregtarët duke ngritur çmimet në vazhdimësi.
“Aleanca e ka përkrah, mirëpo jo parezervë, jo pa asnjë vërejtje, për tërheqjen e 30 përqind të mjeteve të fondit, sepse nëse janë 2 miliardë e 200 milionë euro në TRUST, 30 përqind i bie mbi 600 milionë euro, që është një shumë e madhe. Kjo mundet me paraqit problem, sepse këto mjete janë të plasuara në institucionet financiare ndërkombëtare, të afatizuara. Pra duhet me pasur kujdes për stabilitet dhe siguri të mjeteve të Trustit, sepse ato janë para të qytetarëve në mirëbesim. Çështja tjetër është se në këtë rrethanë krize po kërkohet që kontribuuesit me i ‘hëngër’ (shpenzuar) parat e veta para kohe, në vend që ato të ruhen për kohën e pleqërisë… Në qoftë se ne i shpenzojmë ato, një herë 10 përqind, dhe 30 tash bëjnë 40 përqind. Dhe në rast se rimburësohen nga qeveria, kjo i bie që qeveria me rritë borxhin publik, i cili edhe ashtu është rritur mjaft në vitin 2021 dhe sa është paplanifikuar më 2022, borxhi publik me u rritë për 800 milionë euro, që po shkon në 26 përqind të GDP-së, që është rritjet enorme e borxhit publik pa efekte në zhvillimin ekonomik… Ndikimi, si të lëshohen ato para në qarkullim, qytetarët brenda javës, 10 dite i shpenzojnë për konsum ditor të familjeve për gjëra elementare, për jetesë. Ndërsa, tregtia(tregtarët) i shfrytëzojnë këto raste me i rritë çmimet dhe kështu ato harxhohen shumë shpejt dhe nuk kanë asnjë lloj efekti në zhvillim ekonomik… Në qoftë se i shpenzojnë qytetarët parat e veta, do të jetë shumë e dëmshme, sepse nesër njerëzit do të kenë kthim të mjeteve të Trustit shumë më të vogël”, thekson ai.
Ish-ministri Shatri po kërkon nga Qeveria veprime urgjente për krizën në vend të shkaktuar nga inflacioni i lartë prej 7.5 përqind.
(Kosova Sot Online)