Dick Marty dëshmitar në Hagë?

  • A.P /
  • 13 April 2022 - 18:33
Dick Marty dëshmitar në Hagë?

Në fundjavë u bë e ditur se ish-senatori zviceran kishte marrë një kërcënim serioz në dhjetorin e vitit 2020, i cili e la atë në mbrojtje speciale të policisë zvicerane.

Sipas raportimeve të mediave zvicerane, që thirren në shërbimin sekret zviceran, inteligjenca serbe ka planifikuar vrasjen e Martyt, për t’ia hedhur më pas fajin Kosovës.

Në Serbi vazhdimisht kanë thënë se janë ata që e kanë furnizuar Martyn për ta përgatitur “dosjen’ kundër UÇK’së ndërkohë që në Kosovë theksohet se në tërë këtë ka pasur gisht edhe Rusia.

Ditëve të fundit në Kosovë ka shpërthyer debati se si duhet të reagojë Kosova pas zbardhjes së rastit të Martyt në Zvicër, ndërkohë që Presidentja dhe Kryeministri u kritikuan se nuk po bëjnë asgjë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës s’e kanë përjashtuar mundësinë se Marty mund të thirret dhe të japë dëshminë e tij në rastet e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së.

“Secila palë (Prokuroria ose Mbrojtja) mund të thërrasë dëshmitarë të tillë që mund të jenë të rëndësishëm për çështjen e tyre. Kolegji kompetent mund të vendosë për rëndësinë e një dëshmie të tillë. Për sa i përket informacionit në lidhje me dëshmitarët para Dhomave të Specializuara, ato mund të gjenden në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Siç do ta shihni nga faqja e internetit e KSC, emri i Dick Marty aktualisht nuk është pasqyruar atje”.

(Kosova Sot Online)