
Llapit i shtohet edhe një xhami

Nga sot qyteti i Podujevës do të nis ndërtimin e edhe një xhamie të re për banorët e kësaj ane.
Kjo falë kontributit të vëllezërve Besim dhe Shaip Stublla, të cilët dhuruan tokën për ndërtimin e kësaj xhamie si sadaka për shpirtin e prindërve të tyre.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili në fjalën e tij përmendi rëndësinë e ndërtimit të xhamive, si një obligim për besimtarët myslimanë. “Jemi në muajin Ramazan, në muajin e Kuranit, solidaritetit e bamirësisë, në muajin kur besimtarët motivohen edhe më tepër që t’i kryejnë obligimet e tyre karshi Zotit Fuqiplotë. Andaj sot, në këtë ditë fisnike, jemi mbledhur këtu për të filluar me ndërtimin e një xhamie të re, e cila do t’u shërbejë banorëve të kësaj ane për t’i kryer obligimet e tyre. Zoti në Kuranin fisnik na mëson duke thënë se e drejta e përkujdesjes së xhamive u takon vetëm atyre që kanë besuar Allahu, ditën e fundit, që falin namazin e që japin zekatin, e që nuk i frikësohen askujt pos Allahut, andaj ju familje e nderuar, sot e po çoni në vend edhe një amanet dhe një mësim të Allahut dhe të Pejgamberit të tij, Muhamedit a.s.. Lusim Allahun e Madhëruar që këtë vepër tuajën ta pranojë dhe t’ua shpërblejë në këtë dhe në botën tjetër” – tha ndër tjera Myftiu Tërnava.
(Kosova Sot Online)