
Pse po kërkohet shkarkimi i ambasadorit Martin Berishaj

Pas raportimeve të mediave sllovene për një skandal shpëlarjesh të parave e në të cilin skandal po thuhet të jetë i përshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj një valë reagimesh ka plasur në vend.
Nga opozita ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, e cila thotë se raportime të tilla janë shqetësuese, dhe përtej kësaj, lajme të tilla e dëmtojnë imazhin e Kosovës. Ajo thekson se s’mund të mbyllen sytë përballë një zhvillimi të tillë.
Raportimet për përfshirjen e Ambasadorit të Republikës së Kosovës z. Berisha në skandalin e bartjes së parave nga një kompani në Serbi, përmes Malit të Zi, në Slloveni , janë shqetësuese. Përtej kësaj ky lajm dëmton rëndë imazhin e diplomacisë së Republikës së Kosovës, prandaj edhe nuk duhet të mbyllen sytë para një ngjarje të tillë.Pa marrë parasyshë se sa të vërteta janë lajmet e publikuara për këtë rast (dhe vepra tjera si verifikimi nga AKI, deklarimi i pasurisë, etj) veprimi i parë dhe i domosdoshëm do duhej të ishte lirimi i pozitës së Ambasadorit, qoftë përmes dorëheqjes qoftë përmes shkarkimit”, ka thënë ajo.
Për rastin janë deklaruar edhe nga Qeveria vetë zëdhënësi, Përparim Kryeziu thënë se po presin prova dhe fjalën e organeve të drejtësisë. Ai ka thënë se si qeveri janë të përgjegjshëm dhe llogaridhënës por janë të interesuar për llogaridhënie mbi të vërteta të dëshmuara.
“Kërkesa për sqarime mbi të vërtetën është gjithmonë legjitime. Si qeveri ne jemi të përgjegjshëm dhe llogaridhënës, por jemi të interesuar për llogaridhënie mbi të vërteta të dëshmuara dhe prova e jo pretendime dhe akuza”, ka thënë Kryeziu.
Ndërkaq sot gjatë ditës, presidentja e Vjosa Osmani, e sigurt në ambasadorin e saj, ka thënë se është për keqardhje pyetja që i është drejtuar asaj në konferencë nga gazetari.
“Sa i përket pyetjes që në fakt nuk ishte pyetje por konstatim, është për keqardhje që ju konstatoni një gjë për një ambasador të Kosovës por që nuk është konstatuar nga asnjë organ i drejtësisë por thjesht ësht shkruar nga një media për të cilën ambasadori e ka mohuar në tërësi dhe do të ndjek të gjitha rrugët ligjore. Sa i përket dekretimit natyrisht që e kam dekretuar edhe shtetësinë sepse janë kompetenca të presidentes pra kam vepruar në përputhje të plotë me ligjin”, tha ajo para gazetarëve.
Reagime pati edhe nga shoqëria civile
Aktivisti Rron Gjinovci i ka bërë thirrje Ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, që të jap dorëheqje nga kjo pozitë.
“Kosova ka nevojë për standard të ri në politikë. Kur akuzohesh prej medieve ndërkombëtare për korrupsion, e pakta që mundesh me bo për Kosovën është me dhanë dorëheqje deri sa të sqarohet situata, sepse Kosova s’mundet me përballu këso përfolje në diplomaci.”, ka shkruar Gjinovci.
Edhe analisti politik, Jusuf Thaçi ka thënë se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, duhet të shkarkohet nga kjo pozitë derisa të qartësohet situata e krijuar pas raportimit të mediave sllovene se ai është përfshirë në një skandal financiar.
“Derisa situata me skandalin në Slloveni të qartësohet dhe të vendoset nga organet kompetente gjyqësore mund të marrë kohë. Prandaj, ambasadori i Kosovës në Kroaci duhet të shkarkohet urgjentisht”, ka shkruar Thaçi.
(Kosova Sot Online)