
'ShBA-ja në mënyrë jetike është e interesuar që mos të ketë tensione në rajon'

Ndihmës-sekretarja e Shtetit Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Karen E. Donfried dhe zëvendësi i saj Gabriel Escobar, po e zhvillojnë një vizitë zyrtare në Kosovë ku do të takojnë krerët e lartë të shtetit të Kosovës.
E shpeshtimin e vizitave në Kosovë nga zyrtarët e lartë amerikanë, ish-ambasadori i Kosovës në këtë vend, Avni Spahiu, po e sheh si tentim për të ruajtur stabilitetin e sigurisë në rajon.
Ai tha se ShBA-të nuk janë të interesuar që të ketë konflikte edhe në rajon ashtu siç po e kërkon presidenti i Rusisë Vladimir Putin.
“Është evidente që kemi një qarkullim, shpeshtim të vizitave sidomos kohëve të fundit. Jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon. Kjo dëshmon dy gjëra, se Shtetet e Bashkuara janë në mënyrë jetike të interesuar që në rajon të mos ketë tensionime, që do të çonte drejt një konflikti të mundshëm si pasojë e kërcënimeve të Putinit dhe mendësisë së tij për të zgjeruar konfliktin edhe në anë të tjera të kontinentit”.
Spahiu theksoi se me anë të këtyre vizitave po tentohet që shpëtohet edhe dialogu Kosovë-Serbi, që sipas tij është në një krizë.
“Së dyti, çështja e dialogut e cila është evidente së është në krizë. Dhe këto janë përpjekje për të provuar nëse mund të shpëtohet ky proces, para se Bashkimi Evropian të detyrohet të shpall dështimin”.
Të dy zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara pas përfundimit të vizitës në Kosovë do të qëndrojnë edhe në Serbi.
(Kosova Sot Online)