
Punëtorët të zhgënjyer nga Qeveria Kurti

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve po shënohet në Kosovë me protesta.
Në Prishtinë ka nisur protesta e organizuar nga Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorin Privat te Kosovës.
Në këtë protestë po marrin pjesë udhëheqësit e shoqatave sindikale në komunën e Prishtinës.
Në fillim, pjesëmarrësit mbajtën një minutë heshtje për punëtorët që vdiqën aksidentalisht në vendet e tyre të punës.
“Meqë sot është një ditë e veçantë për punëtorët, dua t’i ngushëllojë të gjitha familjet e punëtorëve që pësuan aksidente fatale në vendet e tyre të punës për të siguruar kafshatën e gojës. Dhe tani ftoj të gjithë pjesëmarrësit për një minutë heshtje”, tha njëra nga organizatoret.
“Me këto paga nuk jetohet”, tha më pas një aktivist sindikal, i cili foli për keqtrajtim të punëtorëve nga shteti dhe kompanitë private.
“Pronarët e kompanive sjellen ndaj nesh sikurse ne të jemi makina amortizuese dhe në një moment kur ne e humbim fuqinë tonë, këta na hedhin në rrugë sepse këtë shteti ua lejon”, tha ai.
(Kosova Sot Online)