Dy të vdekur në aksidentin në magjistralen Skenderaj-Drenas

  • A.P /
  • 02 May 2022 - 17:25
Dy të vdekur në aksidentin në magjistralen Skenderaj-Drenas

Dy persona kanë vdekur nga një aksident në fshatin Gllobar të Drenasit.

Zëdhënësi i Policisë, Agron Borovci tha se rreth orës 14:00 kishin pranuar informata për aksidentin fatal.

“Nga informatat e para bëhet e ditur se dy vetura janë përfshirë në aksident dhe si pasojë e aksidentit dy persona kanë humbur jetën përderisa tre të tjerë kanë pësuar lëndime”, tha ai.

Trupat e pajetë të viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore ndërkaq të lënduarit janë dërguar në QKUK – Prishtinë, për trajtimin e nevojshëm mjekësor.

“Njësia rajonale e trafikut ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për ndriçimin e shkaqeve që kanë sjellë deri te aksidenti”, tha Borovci.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, në 24 orët e fundit, ka ndodhur një aksident trafiku me fatalitet, 19 aksidente trafiku me të lënduar dhe 18 aksident trafiku me dëme materiale.

Gjithashtu bëhet e ditur se në 24 orët e fundit, janë shqiptuar 1239 tiketa.


(Kosova Sot Online)