Berisha: Arritëm në një betejë epike demokratike
Takimi i radhës i Sali Berishës, në kuadër të fushatës për kreun e PD është me mbështetësit dhe simpatizantët e tij në qytetin e Lezhës.
Fjalimin e tij e nisi me falënderimet për të gjithë të pranishmit dhe kujtoi misionet e tij në politikë duke përmendur se si PD u bë forca më e madhe opozitare në vend ndërsa vijoi me sulmet ndaj George Soros, ambasadores amerikane Yuri Kim dhe mazhorancës.
“Ne kishim kundër një pseudoopozitë e cila shërbehej në të gjitha mënyrat nga qeveria. Fatkeqësisht ne kishim kundër, ndoshta mafien më të rrezikshme ndërkombëtare atë të Geroge Sorosit, censura, kërcënime nga më të shumtat u bënë ndaj jush. Dështuan deklarata e përsëritura të guvernatores, e cila jashtë çdo lloj parimi, në çdo hap të rëndësishëm që bënin do të bënte një deklaratë për tu dekurajuar ju.
Në të gjitha kushtet ne arritëm në një betejë epike demokratike kundër autokracisë që kërkonte të mos kishte opozitë Shqipëria, kërkonte ta tërhiqte për hundësh opozitën dhe ta kishte thjesht një freskore. Të tjerë kërkonin t’ia emëronin vetë kryetarin, të mos e zgjidhnit ju. Përdorën procese gjyqësore të të gjitha formave por rezultati ishte dështimi. Ne arritëm në të drejtën tonë që sot të jemi opozitë e vërtetë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Berisha.
Ish kryeministri theksoi se opozita do të vijojë misionin jetik për të mos parë Shqipërinë e shpërfytyruar duke thënë se të gjithë po e shohin se si të rinjtë po ikin për një jetë më të mirë jashtë vendit.
“Vazhdimi i misionit tonë është jetik për Shqipërinë, përndryshe identiteti jonë kombëtar, qenia jonë, kombi ynë ecën akoma më shumë drejt shkretëtimit që e shohim të gjithë se po na ikin të rinjtë. Por edhe për faktin tjetër se si mund të paraqitemi më shumë të shpërfytyruar, të paqytetëruar, të çuditshëm. Interesi ynë kombëtar po shkelmohet. Gjithçka është përpjekje për të shpërbërë qenien tonë”, tha Berisha.
(Kosova Sot Online)
