Beteja për Anthony Albanesen, grekët e duan për vete australianin që u shpall shqiptar në vikend

  • E.K /
  • 23 May 2022 - 13:56
Beteja për Anthony Albanesen, grekët e duan për vete australianin që u shpall shqiptar në vikend

Kur mes shqiptarësh u konstatua se vetë mbiemri i Kryeministrit të ri australian, Anthony Albanese, po e tregon prejardhjen e tij, një medium grek ka shkruar se origjina e Albaneses në fakt, “lidhet me Greqinë”. Çka thoshte Albanese për mbiemrin e vet në vitin 2019?

Opozitari që i fitoi zgjedhjet në Australi, Anthony Albanese, është Kryeministri i parë australian, mbiemri i të cilit nuk është anglisht.

Ajo që dihet zyrtarisht për Albanesen është se nëna e tij ka qenë australiane me origjinë irlandeze, ndërsa babai i tij, Carlo Albanese, vinte nga rajoni Apulia në Itali. Ky rajon, që shtrihet në brigjet e Adriatikut, është më i afërti me pjesën bregdetare të Shqipërisë.

Mbiemri i kryeministrit të ri australian, në italisht i bie “shqiptar” dhe, britanikja The Guardian shkruan se ky term në Italinë jugore përdoret për të përshkruar një të ardhur nga Shqipëria.

Image

Albanese me komunitetin italian në Australi. /Foto: Lisa Maree Williams/Getty Images

Në Kosovë, për këtë çështje e ka dhënë një version të tij, Prindon Sadriu, burri i Presidentes Vjosa Osmani, i cili ka jetuar në Australi.

“Një kandidat me rrënjë shqiptare, Anthony Albanese, mund të jetë kryeministër i ardhshëm i Australisë”, shkroi të shtunën Sadriu.

Mbiemri i Albaneses është bërë temë edhe për mënyrën se si ai duhet të shqiptohet. Në Australi raportohet se edhe bashkëpartiakët e tij kanë versione të ndryshme se si duhet thirrur Kryeministri i ri.

Albanese, si deputet në vitin 2019, ishte pyetur se si duhet t’i shqiptohet mbiemri, dhe ai ka thënë “më thirrni ‘Albo’ dhe nuk gaboni”.

Ndërsa, një medium australian në një artikull të vitit 2019, raportonte se Albanese edhe vetë e ka ndryshuar disa herë shqiptimin e mbiemrit të tij.

The Guardian shkruan se Albanese, tani 59-vjeçar, mund të ketë “ndjenjë konflikti” me mbiemrin e tij, pasi është rritur nga e ëma, ndërsa babain e tij prej të cilit e ka marrë mbiemrin, e ka takuar vetëm në vitin 2002, pas vdekjes të së ëmës.

Një medium që raporton për Greqinë në gjuhën angleze, me një artikull të botuar më 16 prill, ka shkruar për “prejardhjen greke” të Albaneses. Këtë e mbështet te një lidhje që kjo faqe thotë se rajoni i Italisë Jugore e ka me Greqinë e vjetër.

“Edhe pse të gjithë australianët e njohin Anthony Albanesen për rrënjët e tij italiane dhe irlandeze, jo shumë mund ta dinë për origjinën e lashtë greke të vendit të prejardhjes së tij në Italinë jugore”, thuhet në shkrimin e para një muaji të kësaj faqeje.

(Kosova Sot Online)