Ish-këshilltari i Biden: Nëse ai e dëgjon fjalën “Kosovë” një herë në vit, jeni me fat

  • S.A /
  • 04 June 2022 - 08:22
Ish-këshilltari i Biden: Nëse ai e dëgjon fjalën “Kosovë” një herë në vit, jeni me fat

Sikur që po ndryshon Kosova, ashtu po ndryshon edhe politika e jashtme amerikane, ka vlerësuar ish-këshilltari i presidentit amerikan Joe Biden, Mietek Boduszynski. Sipas tij, Kosova duhet të ndihet me fat nëse emri i shtetit i bie në veshë presidentit Biden qoftë edhe vetëm një herë në vit.

Sipas tij, është duke ndryshuar qasja që çfarëdo që kanë thënë amerikanët, liderët në Kosovë e kanë konsideruar “punë të kryer”.

“Tash ka një grup të diplomatëve të rinj që po punojnë këtu dhe në regjion apo edhe nga Washingtoni të cilët e kuptojnë se gjatë punës është normale sikur në çdo cep të botës të kesh mosmarrëveshje për disa çështje—madje edhe me miqtë e afërt. Dhe mendoj se kjo do të ndryshojë, por mendoj po ashtu se janë disa shprehi të vjetra në Washington, që supozojnë se politikanët kosovarë automatikisht do të jenë më Shtetet e Bashkuara, në momentin që iu bën presion Amerika. Dhe kjo nuk është e shëndetshme po ashtu. Kur takon diplomatë amerikanë ata e pranojnë se as kjo lloj varshmërie nuk ka qenë e mirë, sepse politikanët kosovarë i kanë thënë publikut të brendshëm ‘Nuk doja ta bëja këtë, por amerikanët na kanë shtyrë’”, ka thënë ai duke komentuar kursin e kryeministrit Albin Kurti.

Boduszynski ka thënë se nuk sheh mundësi që administrata e Joe Bidenit të ndërhyjë për të rrëzuar qeverisje në Kosovë.

Ai ka vlerësuar se Bideni aktualisht është i fokusuar plotësisht me Ukrainën, Rusinë e Kinën dhe se s’ka fokus te Kosova.

“Problemi është se dyshoj se ai mendon ndonjëherë për Ballkanin. Ne duhet të jemi realistë. E dini, janë shumë çështje të tjera me rëndësi në agjendën e tij të përditshme: Duke filluar me luftën në Ukrainë, me Rusinë, me Kinën, siç e dini nga vizita që kishte së fundmi në Azi, aty mbetet fokusi kryesor. Dhe pas asaj mund ta zgjerojmë listën nga Irani, tek Koreja Veriore e kështu me radhë. Dhe natyrisht, ne kemi shumë çështje të brendshme në Shtetet e Bashkuara me të cilat ai po merret. Kështu që nuk dua të tingëlloj shumë i vrazhdë, por nëse e dëgjon fjalën Kosovë një herë në vit, mendoj se jemi me fat. Nuk është diçka që ai është i fokusuar. Mendoj se po i kthen disa njerëz në administratë, disa këshilltarë dhe disa njerëz në pozita kyç, të cilët mbase e kuptojnë regjionin, por prapë se prapë kjo mund të ketë anë pozitive dhe negative. Nëse dikush ka qëndruar në regjion për një kohë të gjatë, kjo nënkupton se mund të jenë të ngujuar me mënyrat se si i kanë bërë gjërat për një kohë. Ndoshta kanë paragjykimet e thella ndaj Vetëvendosjes, që mund të datojnë nga një dekadë më parë dhe natyrisht se Vetëvendosje ka ndryshuar. Mbase është parti tjetër tash dhe ka evoluuar. Nganjëherë, për të pasur mënyra të reja të mendimit të politikës, nevojiten edhe njerëz të rinj. Nuk është domosdo mirë që dikush ka punuar në Ballkan apo në Washington për një kohë të gjatë”, ka thënë ai.

Sipas tij, për shkak të përqendrimit të SHBA-së me luftën në Ukrainë, nuk ka mundësi të re për dialogun Kosovë-Serbi.

Ai ka lavdëruar Kosovën për zhvillimin e demokracisë.

Sipas tij, është “lojë politike budallaqe”, etiketimi i kryeministrit të Kosovës si antiamerikan.

“Është një lojë fatkeqe politike, sepse po e merr vëmendjen nga çështjet më të rëndësishme politike që po e ndjekin vendin. S’e kam ndjekur nga afër, por e kam parë se çfarë është shkruar në median sociale: se kë e vizitoi Kurti apo nuk e vizitoi, me kë u takua në Shtetet e Bashkuara, me shumë supozime se kë takoi dhe pse”, ka thënë ai.

Boduszynski ka thënë se përkushtimi i Kosovës me SHBA-në është i palëkundur, por se duhet të piqet e të zhvillohet nga të dyja anët.

“Nga ana e Kosovës, duke vënë gishtin te kundërshtarët politikë e duke i quajtur ‘anti-amerikanë’ është e pamatur. Por, gjërat që ju i theksuat që zyrtarët amerikanë presin që të marrin gjithçka çfarë duan dhe nëse jo…. duke i trajtuar politikanët kosovarë në formë paternaliste. Mendoj se duhet pjekuri nga të dyja anët në qasje”, ka thënë ai.

Sipas tij, në të kaluarën SHBA-ja ka përdorur në Kosovë një “dorë të rëndë”, duke aluduar në çështjen e demarkacionit apo edhe flamurin shtetëror.

(Kosova Sot Online )