Ja sa herë udhëtoi Rifat Latifi në SHBA
U emërua në pozitën e të parit të shëndetësisë më 16 nëntor të vitit 2021. Kirurgu Rifat Latifi, erdhi nga SHBA-të për t’iu bashkuar ekipit të Albin Kurtit në qeverisje.
Por, i pari i shëndetësisë nuk e harroi lehtë Amerikën.
Për gjashtë muaj, Latifi morri rrugën për SHBA tre herë.
Një nga vizitat ishte zyrtare, ndërsa dy të tjera në familjen e tij.
Këtë e kanë konfirmuar për sinjali nga Ministria e Shëndetësisë.
“Që nga marrja e mandatit, Ministri Latifi ka qenë tre herë në SHBA. Dy herë ka qenë për vizitë në familjen e tij dhe një herë në vizitë zyrtare, për të cilat takime, MSh ka njoftuar rregullisht opinionin”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Megjithatë, të pyetur se sa i kanë kushtuar shtetit këto vizita të shpeshta të ministrit, përtej Atlantikut, në Ministri thonë se 0 euro.
“Në këto udhëtime, Ministri Latifi nuk ka bërë shpenzime nga buxheti i MSh-së apo shtetit, sepse të gjitha vizitat i ka realizuar me mjete të veta financiare”, thuhet në përgjigje.
Në Ministri, nuk kanë dhënë detaje të shpenzimeve as për vizitën zyrtare që muaj më pari Latifi e zhvilloi në SHBA.
Rifat Latifi, u emërua ministër pas dorëheqjes së Arben Vitisë, në tetor të vitit të kaluar.
Vitia i ishte futur garës për kryetar të Prishtinës, por nuk mori besimin e qytetarëve për të udhëhequr Prishtinën.
(Kosova Sot Online)
