Gërvalla njofton edhe në Facebook për takimin me Blinken
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka njoftuar për takimin e Sekretarin Amerikan të Shtetit edhe në llogarinë e saj në Facebook. Ndryshe nga Twitter ku shkroi fillimisht, këtu ajo nuk i gaboi emrin amerikanit.
“Me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, si Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, së bashku me Zëvendësministren Liza Gashi, dhe Ambasadorin Ilir Dugolli, po marrim pjesë në “Samitin e Amerikave”, i cili po zhvillohet në Los Anxhelos”, shkroi Gërvalla.
“Biseda me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken rreth sigurisë dhe bashkëpunimit në Ballkan dhe të ardhmes euroatlantike të Kosovës ishte shumë inkurajuese, domethënëse dhe e përzemërt. Lidhja mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të mbetet gjithmonë e veçantë”, shtoi ajo.
“Sekretarin Blinken e falënderova jo vetëm për ftesën, por edhe për mbështetjen e pakrahasueshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Sekretari Blinken gjatë kësaj bisede ritheksoi që Kosova zë një vend të veçantë në zemrën e Presidentit Biden”, tha Gërvalla.
Në njoftimin e saj në gjuhën angleze në Twitter, ministrja ka dështuar që ta shkruajë saktë emrin e tij, duke e shkruar “Anthony” shkronjën “h” në emrin e sekretarit amerikan, ndërkohë që emri i tij i saktë është Antony.
(Kosova Sot Online)
