Çka rrëfeu në Polici 53-vjeçari që e vrau djalin e tij

  • A.P /
  • 15 June 2022 - 20:31
Çka rrëfeu në Polici 53-vjeçari që e vrau djalin e tij

Vrasja që ndodhi pasditen e 13 qershorit në fshatin Peran ka tronditur jo vetëm Podujevën, por gjithë  Kosovën. Të përfshirë në këtë rast ishin babë e bir. Naim Smajli, 53-vjeçar dyshohet se e vrau djalin e tij, Edonitin, 32-vjeçar, duke e qëlluar me katër plumba të kallashnikovit. Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë tashmë ka nxjerrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji. Këtë e ka konfirmuar edhe avokati i të dyshuarit, i cili ka treguar disa detaje nga intervistimi i klientit të tij dhe pranimi i veprës që dyshohet se e ka kryer.  

Në natën kritike Naim Smajli nuk e ka pranuar veprën për të cilën iu vunë prangat. Megjithatë, para hetuesve policorë ai ka rrëfyer për problemet që kishte pasur me djalin e tij.

Avokati Shaban Bibaj tha se 53-vjeçari në natën që u prangos ka treguar disa momente kur kishte pasur mosmarrëveshje me të birin. Konflikti verbal mes tyre dyshohet se daton kohë më parë, pasi viktima që një kohë të gjatë kishte telashe me babain.  

“Atë natë kur është intervistu e ka përshkruar rastin se si ka ndodhur, qysh kanë pasë probleme. Ai ka thënë se ka pasur në vazhdimësi probleme me djalin e tij, rreth marrëdhënieve tyre familjare. Nuk ka thënë diçka më shumë, as motiv s’ka përmend“, tha ai për sinjalin.

I pyetur nëse do ta apelojnë vendimin në Gjykatën e Apelit, avokati tha se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë, meqë janë plotësuar kushtet sipas tij.

“Sot është mbajtur seanca dëgjimorë, i është caktu 30 ditë paraburgim. Në njëfarë forme e ka pranuar veprën, por kanë mbetur tash hetimet. Vendimin nuk do ta apelojmë, se janë plotësu kushtet ligjore dhe nuk e kemi parë të arsyeshme me apelu”.

Naim Smajli dyshohet për dy vepra penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.


Sipas informacioneve të para, 32-vjeçari u vra derisa po punonte në traktor, kur babai i tij dyshohet se e qëlloi me kallashnikov, duke shkrepur katër plumba, që e lanë të vdekur në vend.

Në vendin ku ndodhi krimi, Policia konfiskoi katër gëzhoja dhe kallashnikovin, teksa bastisje u krye edhe në fshatin Bajqinë.

(Kosova Sot Online)