Dy matjet që dëshmojnë se VV po humb përkrahjen
Omnibusi i fundit i kompanisë UBO Consulting, ku matet disponimi i qytetarëve për partitë politike, është publikuar sot në media. Rezultati nga ky sondazh del të jetë interesant, ngase nxjerr statistika që dallojnë nga rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, sidomos për partinë në pushtet.
Nga të anketuarit, 35.8 për qind janë përgjigjur se do ta votonin LVV-në nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel. Kur shpërndahet përqindja e atyre që refuzojnë të përgjigjen dhe e atyre që janë të pavendosur, LVV-ja del se do t’i merrte 39.6 për qind.
Krahasuar me rezultatet zgjedhjeve e 14 shkurtit të vitit të kaluar, ku VV së bashku me Listën Guxo, morën mbi 50% të votave, rënia e saj duket të jetë goxha e thellë për vetëm një vit e gjysmë në qeverisje të vendit.
Po ashtu, edhe nëse e krahasojmë me një sondazh tjetër të UBO Consulting, të publikuar në fund të muajit mars të këtij viti, kuptohet që përkrahja për VV-në që nga marrja e pushtetit po bie në mënyrë graduale, por të qëndrueshme.
Ndonëse mbi 40%, që në mars të këtij viti, ishte evidentuar rënia e partisë së Albin Kurtit. Në sondazhin omnibus të UBO Consulting, që ishte publikuar në emisionin Pressing, dilte se VV qëndronte te 41.9% e votave, sipas votës së deklaruar.
Sondazhi i muajit mars, 2022
Ndërkaq, Partia Demokratike në matjet e kryera në sondazhin e fundit, del e dyta. 19.8 për qind e të anketuarve janë përgjigjur se do ta votonin PDK-në nëse zgjedhjet mbahen këtë të diel. Me vota të deklaruara, PDK-ja del se do të merrte 21.9 për qind të votave.
E treta, si në zgjedhjet e 14 shkurtit, është akoma LDK-ja, që tash udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku.
Në matjet e fundit, LDK-ja del se do të merrte 18.4 për qind të votave. Kur shpërndahet përqindja e të padeklaruarve, përqindja e LDK-së është te 20.3.
Këtu është përfshirë edhe partia e themeluar nga Presidentja Vjosa Osmani. E ndarë nga LVV-ja, lista “Guxo” del se do të merrte 1.3 për qind të votave, sipas këtyre matjeve.
Aleanca e Ramush Haradinajt ka dalë se do të votohej nga 6.7 për qind e të anketuarve.
(Kosova Sot Online)
