Epoka e Kurtit, ujë falas nga çezmet e fontana
Një vendim i qeverisë Kurti që i obligon objektet e gastronomisë të ofrojnë ujë nga ujësjellësi për klientët bëri bujë të madhe duke nxitur valë komentesh në rrjetet sociale. Për ta çuar gallatën tutje, në orët e mbrëmjes deputetja e VV-së, Fitore Pacolli tha se planet nuk përfundojnë me cezme. Ajo tha se duhet të instalohen fontana brenda Kuvendit ku deputetët mund të pinë ujë.
Deputetja e VV-së, u shpreh se fontanat e ujit duhet të vendosen brenda objektit të Kuvendit ku deputetët mund të mbushin shishet apo gotat e tyre ose të pinë edhe me duar.
“Është faza e dytë e projektit që nënkupton instalimin e fontanave të ujit që vjen nga rrjeti publik, në momentin kur t’i kemi këto fontana atëherë edhe deputetët nuk do të marrin ujë falas siç i ofron Kuvendi gjatë seancave. Këto fontana do të instalohen brenda objektit të Kuvendit ku i kemi nyjet e ujit dhe vendosen jashta hapësirave ku janë tualetet, pra ne kemi qasje tani në tualete ku mund ta mbushësh shishen apo gotën mirëpo ajo si hapësirë nuk është e pastër dhe ne është mirë që të kemi fontana të ujit jashtë tualeteve. Ne do të ofrojmë për deputetët një shishe shumë përdorimshe dhe deputetët mund ta mbajnë me vete ta mbushin por mund të mbajnë edhe gota tjera. Edhe me grushta mund ta pijnë janë fontana të cilat munden me pi edhe pa gotë edhe pa shishe”, tha Pacolli
Ndaj deklaratës së Pacollit për fontanat e ujit brenda Kuvendit, reagoi me ironi nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
“Nga një program zgjedhor i cili ishte fontanë dëshirash, përfunduam me propozime për fontanë uji në Kuvend”, shkroi ajo.
Vendimin që kafiteritë të shërbejnë ujin e rubinetit për klientën, qeveria e mori dje në mbledhjen e 86-të.
Në pikën 1 të këtij vendimi thuhet se në rastet kur objektet e gastronomisë furnizohen nga ujësjellësi publik, pronari i biznesit nuk mund ti ndalojë klientët të shërbehen me ujë rubineti.
Kurse në pikën 2 thuhet se në rastet Në rastet kur objekti i gastronomisë pretendohet të furnizohet nga ujii puseve, rezervuarëve apo rrjeti i cili nuk menaxhohet prej Kompanive Rajonale të Ujit, pronari i biznesit obligohet: 2.1. Të hartojë dhe zbatojë planin e monitorimit operacional të cilësisë së ujit në përputhje me nenin 7 dhe nenin 8 të Udhëzimit Administrativ Nr. 10/2021 për Cilësinë e Ujit të Destinuar për Konsum Njerëzor; 2.2, Që të pajiset me certifikatë të cilësisë së ujit nga Instituti Kombëtar për Shëndetësi Publike dhe këtë certifikatë ta ekspozoë në lokal.
Vendimi obligon inspektorët sanitarë ta zbatojnë pikë 2.
(Kosova Sot Online)
