Glauk Konjufca- Presidenti në detyrë
E kaluara dhe qëndrimet politike të Albin Kurtit si opozitar shiheshin me shqetësim kur Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 mori mbi gjysmën e votave të kosovarëve që dolën në zgjedhje. Një fuqi e tillë për Kurtin si fillestar në qeverisje cilësohej problematike dhe mendohej se vendosja e Vjosa Osmanit si kundërpeshë në presidencë do të arrinte të krijonte balancin dhe do të ishte një garanci për çdo paparashikueshmëri politike. Kjo ka qenë edhe një prej arsyeve kryesore pse kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ishte pajtuar që votat e partisë së tij t’ia jepte Vjosa Osmanit për t’u bërë shefe e shtetit edhe pse Osmani i kishte shkaktuar dëm të madh partisë së tij, më të madhin pas kuvendit të karrigeve. Megjithatë ky kalkulim i kreut të LDK-së ka rezultuar i gabuar. Këtë e ka pranuar edhe ai vetë tek pas gati dy vitesh, duke thënë se Vjosa Osmani si presidente nuk po iu shërben interesave të qytetarëve dhe se po anon vetëm kah Lëvizja Vetëvendosje.
Përgjatë gjithë kësaj kohe si presidente e vendit, Vjosa Osmani në asnjë rast s’është parë teksa e ushtron rolin e saj si presidente në raport me proceset e brendshme nëpër të cilat po kalon Kosova dhe është bërë një me Kurtin. Ajo s’është dëgjuar ta thotë asnjë fjalë as për reformën në drejtësi, as për byronë problematike për konfiskim të pasurisë, për çështjen e veteranëve dhe as për procesin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së në Speciale. Ajo s’ka dhënë qëndrimin e saj as për kërkesën e njëpasnjëshme të ndërkombëtarëve për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat rreth Manastirit të Deçanit.
Derisa për kritika ndaj Kurtit as që bëhet fjalë edhe kur është puna për të tilla. Në një intervistë të dhëne e pyetur nëse ka ndonjë pikë ku nuk pajtohet me Qeverinë Kurti, Osmani ka përmendur “sa për të thënë” buxhetin e ndarë për shëndetësi, derisa edhe në këtë rast ka mbrojtur Kurtin duke thënë se është faji i ministrisë së Shëndetësisë që ka pranuar një buxhet të tillë dhe jo i Qeverisë.
Osmani s’është përfshirë fare as në debatin për gjetjen e një rruge për përballimin e krizës së çmimeve, teksa opozita kërkon ulje akcize e heqje të TVSH-së për produkte bazë, derisa Qeveria ngulmon vetëm në mbushjen e arkave të shtetit.
E gjithë kjo periudhë e Vjosa Osmanit në presidencë është karakterizuar me administrim, udhëtime zyrtare jashtë vendit, pritje të zyrtarëve të huaj në Kosovë dhe intervista nëpër mediat ndërkombëtare.
Megjithatë Kosova nuk është pa “president” dhe një funksion të tillë po e ushtron me delikatesë Glauk Konjufca nga karrigia e kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Përveç qëndrimeve, Konjufca nuk ngurron as të përfshihet në mënyrë direkte në mbrojtje të Kushtetutës së vendit edhe kur vije puna që të dalë kundër partisë së tij.
Konjufca në vazhdimësi kujdeset që në Kuvendin e Kosovës të ketë një balanc politik, pavarësisht dallimit të madh në numra mes pushtetit dhe opozitës.
Ai madje shpesh është dëgjuar teksa kritikon deputetët e partisë së tij kur mungojnë në seanca, apo edhe kur e marrin fjalën dhe lavdërojnë qeverinë Kurti.
Glauk Konjuca pavarësisht perceptimeve, përplasjeve dhe rivalitetit politik të së kaluarës 20 vjeçare ka udhëtuar drejt Hagës për t’u takuar me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin e të tjerët. Konjufca kishte marrë rrugën drejt Dhomave të Specializuara pas ngritjes së shqetësimeve për stërzgjatje të procesit dhe shkelje të të drejtave të njeriut.
Kreu i Kuvendit pas kthimit nga Haga kishte thënë se Gjykata Speciale ka defekte bazike, derisa ka thënë se ligjshmëria dhe kushtetutshmëria duhet të kërkohen gjithmonë, jo për ta zhbërë gjykatën por për ta bërë funksionale.
“Problemi është që ka defekte elementare brenda gjitha shkallëve. Ligjshmëria dhe kushtetutshmëria duhet të kërkohen gjithmonë, jo bërë ta zhbërë këtë gjykatë, nuk e thonë as ata vet që janë të akuzuar, këtë gjykatë vetëm ta bëjmë më funksionale”, ka thënë Konjufca pasi ishte kthyer nga vizita.
Numri dy i VV-së kishte thënë gjithashtu se aktakuza ndaj krerëve të UÇK-së është skandaloze dhe se shteti i Kosovës nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj pretendimeve të tilla që njollosin karakterin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kur e lexon njeriu aktakuzën ku thuhet se armiqtë e UÇK-së kanë qenë katolikët, mua më duket skandaloze dhe që është kundër Kosovës…Të gjithë e dinë karakterin e luftës së UÇK-së…Shteti i Kosovës nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj pretendimeve të tilla, ne nuk duhet ta lozim spektatorin e sjellshëm. Këto pretendime i kam përjetuar si ofendim”, kishte shtuar tutje Konjufca.
Përveç kësaj, Glauk Konjufca, është kujdesur që nismat e Qeverisë Kurti të mos cenojnë liritë dhe të drejtat themelore të njeriut në Republikën e Kosovës. Si kryetar i Kuvendit, pas shqetësimeve të shumta, Glauk Konjufca, e ka dërguar në Komisionin e Venecias draftin e Albulena Haxhiut për themelimin e Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, një prej ideve bosht të VV-së në reformën për drejtësi.
Pas një adresimi të tillë të Konjufcës, Venecia kishte dalë me një mal vërejtjesh për propozimin për Byronë, ku ngriteshin shqetësime për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut, gjithashtu bëhej thirrje që drafti të vendosej në pajtim më Kushtetutën dhe shprehej edhe frikë se një ide e tillë mund ta komplikojë edhe më shumë sistemin e drejtësisë në Kosovë meqë konstatohej se në vend ka mungesë mekanizmash por se vetëm ka problem me zbatueshmëri.
Kjo ka bërë që Glauk Konjufca të dal kundër partisë së tij në seancën e 7 korrikut 2022 duke mos e dhënë përkrahjen e tij për një prej ideve mbi të cilat Lëvizja Vetëvendosje e ka kërkuar edhe votën në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Kreu i Kuvendi të Kosovës ka qenë i zëshëm edhe përgjatë diskutimeve në Kuvendin e Kosovës për Projekt Kodin Civil, ku disa deputetë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kishin përdorur gjuhë skandaloze në raport me komunitetin LGBTI.
Edhe në intervista të mëvonshme, Konjufca kishte thënë se cilësimet për pjesëtarët e komunitetit LGBTI janë të pafalshme dhe të turpshme.
“Seanca e ka pas edhe një pjesë të pafalshme, kur ti nuk mjaftohesh me fjalën ‘s’po pajtohem’, por vazhdon të thuash ‘a e di pse s’pajtohem, sepse mendoj që këta nuk janë njerëz hiç’, kjo kategori e njerëzve që e zgjedhin orientimin e tyre seksual, ose ju thua janë gjysmë njerëz, ose janë të sëmurë. Kjo është e pafalshme, bile e turpshme për mendimin tim, sepse unë konsideroj se me vlerat më elementare bazike njerëzore e para, e dyta me konventat më të konsoliduara ndërkombëtare që e mbrojnë pa kurrfarë dileme integritetin e njeriut, unë mendoj që dinjiteti dhe integriteti i atyre njerëzve përmes kësaj gjuhe cenohet dhe sulmohet”, kishte thënë Konjufca.
(Kosova Sot Online)
