Ligjërata e mbrapshtë e Richard Grenell në Beograd: Kosova pa NATO’n brenda

  • A.P /
  • 14 July 2022 - 19:07
Ligjërata e mbrapshtë e Richard Grenell në Beograd: Kosova pa NATO’n brenda

Richard Grenell, që dikur kishte pasur pushtet mjaftë të madh mbi punët e Kosovës dhe Serbisë, i ka mbetur shprehi të komentojë se si dy vendet duhet t’i ndreqin raportet. Por, dje, në Beograd ai shpalosi një “vizion” të mbrapshtë – tha se KFOR’i duhet të largohet nga Kosova pasi qëndrimi i mëtejmë e zvarrit zgjidhjen e problemit dhe tremb investitorët. Duke i mbetur besnik qasjes “ekonomike” të zgjidhjes së problemit Kosovë -Serbi, Grenell tha se në Bruksel nuk duhet të diskutohet njohja ose mosnjohja e Kosovës. Ish -emisari amerikan që prej rënies nga pushteti ka shkuar për vizita vetëm në Shqipëri dhe Serbi, e bëri me dije se ende ka mëri ndaj Kurtit, të cilin e fajësoi që s’ka marrëveshje me Serbinë.  Ndaj deklaratave të tij, reagoi në Twitter ish -ambasadorja Vlora Citaku e cila tha se kushdo që në SHBA ka parashtesën “ish”, duhet të kundërshtohet, por nuk duhet të fyhet a linçohet.

Në periudhën e fundit të mandatit si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, po kërkonte suksese në politikën e jashtme. Administrata e tij tashmë kishte vendosur dy targete. Lindjen e Mesme dhe Ballkanin Perëndimor, më saktësisht Kosovën dhe Serbinë.

Për të çuar përpara dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe në përpjekje e sipër për të arritur një marrëveshje mes dy shteteve, Trump në vitin 2019 e kishte emëruar në pozitën e emisarit special presidencial për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i cili deri në atë kohë kishte shërbyer si ambasador i Amerikës në Gjermani.

Një ambasadori që kishte acaruar raportet me të gjithë zyrtarët në Gjermani dhe që s’e priste as kancelarja Angela Merkel, Trump ia kishte besuar një prej proceseve më delikate të cilin Bashkimi Evropian bashkë me SHBA-të s’kishte mundur ta zgjidhte për vite, e s’po munden as edhe sot.

Me një qasje plotësisht ndryshe, të karakterizuar me ashpërsi në deklarime e kokëfortësi në veprime dhe synime, Grenell tentonte të shtynte përpara agjendën e presidentit Trump në kërkim të një marrëveshje Kosovë-Serbi e që potencialisht do t’i përkthej në rezultat për zgjedhjet presidenciale.

Por rruga drejt një synimi të tillë u vështirësua, meqë në krye të Qeverisë së Kosovës ishte një kryeneç si Albin Kurti i cili në çdo formë tentonte t’iu qëndronte mbrapa fjalëve të tij për të mos hequr masat ndaj Serbisë.

Në një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Kurti gjendej përballë presionit që të tregohej konstruktiv me përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presioni nga LDK-ja e Isa Mustafës bëhej edhe më i madh marrë parasysh se brenda partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova kishte edhe figura të vjetra të cilat ishin të pakënaqura me faktin se LDK-ja ishte futur në bashkëqeverisje me Albin Kurtin.

Situatën politike brenda koalicionit qeverisë në vend e acaronte vazhdimisht emisari amerikan, i cili në vazhdimësi shfrytëzonte “tëitterin” për të goditur këdo nga Qeveria e Kosovës që thoshte diçka që mund të pengonte atë në arritjen e synimit të cilin e kishte edhe përshkim pune.

Bashkëdyzimi i synimeve të Grenellit si përfaqësues i Presidentit të SHBA-së, presioni i LDK-së nga brenda dhe Hashim Thaçi në krye të shtetit si rival i Kurtit dhe mik i emisarit amerikan, ishin kombinimi që çoi në rrëzimin e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, nga pozita e shefit të Qeverisë. Nga LDK-ja që prishi koalicionin, thoshin se nuk mund të qëndronin në një qeveri anti-amerikane.

Rrëzimi i Kurtit, dëgjueshmëria e LDK-së dhe Thaçi si president, tashmë kishin krijuar ambientin e përshtatshëm që Grenell të shtynte përpara agjendën e Donald Trump për një sukses në politikën e jashtme, konkretisht arritjen e një marrëveshje mes dy shteteve fqinje, problemi i të cilave vazhdojnë ta mbajnë të trazuar rajonin e Ballkanit Perëndimor. Grenell pas një triumfi të tillë, kishte akuzuar Kurtin se e kishte gënjyer në sy për punën e heqjes së taksës 100 % ndaj Serbisë.

Ardhja e Avdullah Hotit në pushtet me miratimin e Hashim Thaçit, kishte çuar në një polarizim të skajshëm elektoral dhe politik në Kosovë. Grenell në ndërkohë vazhdonte punën e tij për të çuar agjendën e Shtëpisë së Bardhë përpara duke organizuar në Zyrën Ovale një takim të nivelit të lartë Kosovë-Serbi ku edhe do të nënshkruhej një marrëveshje mes dy shteteve, e që mendohej se do të përfshinte edhe njohjen reciproke. Një gjë e tillë konsiderohej si historike dhe pritej me një entuziazëm të madh.

Megjithatë një njoftim i Prokurorisë Speciale të Hagës në qershorin e vitit 2020 për aktakuzë që e gjeti Thaçin në aeroplan për Uashington, kishte prishur gjithë matematikat. Grenell s’pati zgjidhje përveç se të respektojë vendimin e atëherë presidentit për t’u kthyer në Kosovë. Pas Thaçit ishte kthyer edhe Avdullah Hoti, i cili tashmë gjendej përballë një situate të re politike në vend.

Emaili i Speciales me aktakuzën kundër Thaçit kishte bërë që të shtyhej për pak muaj synimi i Grenell për një takim Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë. Emisari i Donald Trump në vitin 2020 kishte njoftuar se takimi mes Kosovës dhe Serbisë ishte vendosur të realizohej në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator 2020.

Kurti i cili ishte zhvendosur në opozitë në vazhdimësi thoshte se në Uashington do të vendoheshin thikat mbi hartën e Kosovës.

Gjithë kjo tollovi politike në Kosovë u konkretizuar me një marrëveshjen ne Uashington që përmbante disa pika për marrëveshje infrastrukturore mes Kosovës dhe Serbisë, një memorandum 1 vjeçar që Kosova të ndalte lobimin për njohje dhe anëtarësime, derisa Serbia të ndalte fushatën për çnjohje.

Momenti që e shpëtoi gjithë ngjarjen e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë ishte ai kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i asistoi kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, që të realizonte një telefonatë me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, telefonatë në të cilën u kumtuar njohja e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli. Kjo njëherit ishte një prej njohjeve më rëndësinë më të madhe për shtetin e Kosovës.

Nënshkrimi i një marrëveshje të tillë u kritikua fuqishëm nga Albin Kurti i cili thoshte se në momentin që do të rikthehej në pushtet nuk do ta implementonte në Kuvendin e Kosovës, derisa paralajmëronte se do të rishikohej edhe çështja e lokacionit të ambasadës së Republikës së Kosovës, që sipas marrëveshjes së Uashingtonit do të vendosej në Jerusalem

Me Marrëveshjen e Uashingtonit në xhep Grenell kishte filluar fuqishëm ndihmën e tij për Trump në fushatën presidenciale. Donald Trump e përmendte Kosovën edhe nëpër tubime me qytetarë amerikanë e nëpër statuse të tij në “tëitter”, Madje në një prej tyre e kishte bërë Kosovën gabimisht pjesë të Lindjes së Mesme si shtet me shumicë myslimane.

Ngjarjet që pasuan pas Uashingtonit shkuan plotësisht në favor të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në nëntor të vitit 2020, Donald Trump, humbi zgjedhjet presidenciale, derisa Joe Biden të cilin Kurti e përkrahu edhe publikisht përgjatë fushatës u bë shef i shtëpisë më të fuqishme të botës. Sikur të mos mjaftonte kjo, Gjykata Kushtetuese e Kosovës rrëzoi Qeverinë e Avdullah Hotit meqë ishte konstatuar se deputeti Ethem Arifi s’kishte pasur legjitimitet kur ka dhënë votën e tij “për” qeverinë e Avdullah hotit.

Kjo çoi Kosovën në zgjedhje të jashtëzakonshme, derisa Grenell edhe përkundër humbjes së pushtetit në Amerikë vazhdonte të merrej me Kosovën dhe në mënyrë specifike me Albin Kurtin.

Në një ambient të polarizuar politik, me një LDK të anatemuar që e rrëzoi Qeverinë Kurti I në mes të pandemisë, Kurti në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021 me Vjosa Osmanin në krye të listës mori mbi 50 % të votave, gjë që s’kishte ndodhur në Kosovën e pas pavarësisë.

Pavarësisht kësaj, Grenell vazhdonte të merrej me rajonin e Ballkanit Perëndimor, konkretisht zhvillimet në Kosovë. Sa herë që shkruante, nxiste debat të madh në vend, ku nuk mungonin as kundërpërgjigjet zyrtare.

 Por kur janë bërë më shumë se një vit e gjysmë nga Qeveria Kurti dhe kur në Amerikë është instaluar plotësisht një pushtet tjetër, pesha e fjalëve të Grenell i cili tashmë është thjeshtë vetëm një qytetar i lirë amerikan ka filluar të bie.

Zero reagimet zyrtare dhe reagimet tek-tuk nëpër rrjete sociale për fjalimin e tij katastrofal në Beograd, tregojnë për zbehjen e fuqisë së fjalës së tij, si figurë politike që dikur kishte në dorë edhe më shumë se dhjetë agjenci inteligjence të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe që e kishe vënë nën kontroll procesin e dialogut Kosovë-Serbi duke e përjashtuar pothuajse plotësisht Bashkimin Evropian.

Në një ligjëratë para studentëve në Beograd, Grenell i cili duket që nuk e ka tejkaluar hidhërimin me Albin Kurtin, e fajësoi këtë të fundit për mosarritjen e një marrëveshje me Serbinë. Në këtë mes Grenell e ka futur edhe Bashkimin Evropian.

Sikur të mos mjaftonte kjo, ai ka thënë se edhe KFOR-i duhet të largohet nga Kosova meqë sipas tij një prezencë e tillë ushtarake pengon investitorët e huaj që të vijnë në Kosovë. Përveç kësaj, Grenell ka kërkuar që të mos përmendet edhe puna e njohjes në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Ish-emisari amerikan gjatë kësaj ngjarje është përplasur me gazetaren e Zërit të Amerikës, e cila e ka pyetur nëse punon për Qeverinë e Serbisë. Grenell ka thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë, derisa ka shtuar se si qytetar i lirë amerikan ka hapësirë të bëjë çfarë të dojë.

Pa ndonjë reagim nga partia në pushtet me të cilën Grenell është në hasmëri, fjalimi i tij në Beograd ka nxitur një koment të ish-ambasadores së Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, e cila ka këshilluar që fjalët e Grenell të merren me rezerva dhe konsideratë dhe që të mos e fyejnë atë, meqë sipas ish-ambasadores kurrë nuk i dihet.

“Këshillë miqësore: këdo me parashtesën ”ish” nga SHBA-të, merreni me rezerva, por me konsideratë. Pa fyerje e pa linçime. Kundërshtojeni nëse është nevoja, por kurrë mos fyeni. Nuk i dihet…”

Reagime ka pasur edhe gazetari kosovar, Bekim Kabashi, duke kritikuar përkrahësit e Vetëvendosjes se si po merren me nje qytetar amerikan dhe s’po merren me fjalën që dikur ka thënë Kurti si opozitar dhe çfarë po thotë sot.

Sipas Kabashit, duhet bërë dallimi mes Grenellit si zyrtar shteti dhe sin je qytetar i thjeshtë.

“Janë çua i madh i vogël po e citojnë çka po thotë Grenelli sot, si qytetar civil amerikan, tu dashtë me na e kujtu se çka ka mujt me na bo kur ka qene zyrtar amerikan.

Si zyrtar amerikan, nuk mundesh me bo biznes me interesat e Amerikës. Si civil po, madje edhe me Rusinë e edhe me Korenë e Veriut. Raporti i Amerikës me Kosovën, Serbinë, rajonin…, nuk përcaktohet nga persona civil.

Jeni t ‘njëjtit qe pa u skuq, kur ua kujtojmë se çka ka thonë Albini ne t’kalumen, e çka po thotë sot, thoni ai atëherë ka qenë opozitë.

Nuk po u intereson çka ka thonë e çka po thotë kryeministri i venit tuj, e po i peshoni fjalët e ni civili, biznesmen amerikan, i cili për here t ‘parë ka ni për Kosovën, kur i është dhënë si pune nga shefi i tij”, thuhet në reagimin e gazetarit Kabashi.

Aktualisht për procesin e negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë nga administrata e re amerikane kujdeset, Gabriel Escobar, i cili është Përfaqësues Special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor. Escobar karakterizohet me një qasje ndryshe dhe intensitet me të vogël të punës, ndryshe nga Grenell i cili gjatë një ceremonie nënshrkimi të një marrëveshje për hekurudhat Kosovë-Serbi në Gjermani, i kishte bërë presion Marko Gjuriqit të vendoste firmën mbi dokumentin që shkruante Republika e Kosovës.

(Kosova Sot Online)