
Shqipëria hap sot negociatat me BE, ethet e ditës historike

Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë me BE që shënon hapjen e negociatave për anëtarësim është një ditë historike dhe e shumë pritur. Kjo ditë sa entuziaste na ngre dhe pyetjes se sa vite të tjera do t’i duhen Shqipërisë për t’u bërë anëtare e BE pas çeljes zyrtare të negociatave që erdhën si rrjedhojë e zbllokimit të ngërçit Bullgari Maqedoni e Veriut.
Zhvillimet për konferencën e parë ndërqeveritare në Bruksel
19 korriku është një ditë historike për Shqipërinë e cila do të mbajë sot Konferencën e Parë Ndërqeveritare në Bruksel që do të shënojë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Bruksel së bashku me një delegacion shqiptar, e ka nisur ditën me një postim në rrjetet sociale, ku shkruan që Shqipëria sot do të ulet në tryezën e madhe të Bashkimit Europian.
“Mirëmëngjes me kënaqësinë e me krenarinë që sot Shqipëria e të gjithëve ne, pa dallim feje, krahine, ideje, moshe a statusi social, Shqipëria e Skënderbeut, e rilindasve, e dëshmorëve të luftës, e martirëve të regjimit komunist, e studentëve të Dhjetorit ’90, Shqipëria e familjeve të zakonshme shqiptare, kudo ndodhen dhe e fëmijëve tanë kudo ku rriten me prindërit e tyre, ulet në tryezën e madhe të Europës së Bashkuar për të filluar negociatat për anëtarësimin e saj”, shkruan Rama.
Delegacioni shqiptar në Bruksel përbëhet nga 25 zyrtarë, pjesë e grupit negociator me Unionin, kryesuar nga kryeministri dhe ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të cilët do të ulen përballë përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të unionit në prani të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme Josef Borrell, komisionerit për Zgjerim Oliver Varhelyi dhe ministrit të Jashtëm çek, vend që ka Presidencën e radhës së BE.
(Kosova Sot Online)