Dy aksidente fatale brenda një ore, në të njëjtin vend

  • A.P /
  • 19 July 2022 - 16:03
Dy aksidente fatale brenda një ore, në të njëjtin vend

Të hënën kanë ndodhur dy aksidente fatale në Alpstein në kantonin Appenzell Innerrhoden. Të dy personat kanë rënë në shtegun e ecjes malore nga restoranti i njohur Äscher (i zgjedhur disa herë si vendi më i bukur në Zvicër), në drejtim të lokalitetit Chobel.

Kjo u njoftua nga policia kantonale Appenzell Innerrhoden të martën në mëngjes, shkruan srf.ch.

Aksidentet kanë ndodhur veç e veç dhe policia kantonale deklaron se, sipas të dhënave fillestare, aksidentet nuk kanë asnjë lidhje mes vete. Së pari, një gjermane 66-vjeçare ka rënë 80 metra poshtë në një faqe shkëmbi, ndërsa rreth një orë më vonë, ndërsa punonjësit e shpëtimit kishin nxjerrë gruan të vdekur, nga humnera, një burrë 58-vjeçar nga kantoni i Bernës ra në të njëjtin vend. Edhe ai ishte lënduar për vdekje.

Ngjitja dhe zbritja e pjerrët midis vendeve Äscher dhe Seealpsee është shënuar si një shteg ecjeje malore, me shenja që tregojnë rrezikun. Por rreziku në këtë rrugë shpesh nënvlerësohet, thotë Roland Koster, zëdhënës i policisë kantonale të AI.

Aktualisht po hetohet për shkaqet e sakta të aksidentit.

(Kosova Sot Online)