Temperatura rekord dhe përmbytje masive në Kinë

  • A.P /
  • 20 July 2022 - 10:28
Temperatura rekord dhe përmbytje masive në Kinë

Kina po përballet me kushte ekstemte të motit si shumë vende të botës. Temperatura të larta, reshje shiu dhe përmbuytje masive, është panorama që shfaqet së fundmi në kinë, shkruan CNN.

CNN shkruan se qytetet dhe tokat bujqësore janë përmbytur, shtëpitë janë shkatërruar nga rrëshqitjet e dheut, ndërsa të korrat po thahen nga i nxehti.

Që nga fillimi i verës, këto ngjarje të motit janë shfaqur në të gjithë Kinën, duke e bërë shtetin më të populluar në botë të përballet me emergjenca.

Shkencëtarët kanë paralajmëruar për vite se kriza klimatike do të përforcojë motin ekstrem, duke e bërë atë më vdekjeprurës dhe më të shpeshtë. Tani, si pjesa më e madhe e botës, Kina është duke u lëkundur nga ndikimi i saj.

Që nga fillimi i sezonit të shirave të vendit në maj, stuhitë e mëdha të shiut kanë sjellë përmbytje të rënda dhe rrëshqitje të dheut në zona të mëdha të Kinës jugore, duke vrarë dhjetëra njerëz, duke zhvendosur miliona dhe duke shkaktuar humbje ekonomike që arrijnë në miliarda juanë.

Në qershor, reshjet ekstreme thyen “rekordet historike” në provincën bregdetare Fujian, si dhe në pjesë të provincave Guangdong dhe Guangxi.

Kjo valë e të nxehtit tani ka përfshirë gjysmën e vendit, duke prekur më shumë se 900 milionë njerëz, ose rreth 64% të popullsisë. Të gjitha, përveç dy provincave verilindore në Kinë, kanë lëshuar paralajmërime për temperatura të larta, me 84 qytete që kanë lëshuar alarmet e tyre të kuqe të nivelit më të lartë të mërkurën e kaluar.

Javët e fundit, gjithsej 71 stacione kombëtare të motit në të gjithë Kinën kanë regjistruar temperatura që thyen rekordet historike. Nxehtësia mbytëse ka përkuar me një rritje të rasteve me Covid, duke e bërë testimin masiv të mandatuar nga qeveria edhe më torturues për banorët, përfshirë të moshuarit, të cilët duhet të presin në radhë të gjata nën diell.

Është bërë gjithashtu një detyrë e rrezikshme për punonjësit e shëndetësisë, të cilëve, si pjesë e politikës së qeverisë ‘zero-Covid’, u kërkohet të kalojnë orë të gjata jashtë të mbuluar kokë e këmbë në pajisje PPE hermetike ndërsa administrojnë testet.

Vala e të nxehtit ka shkaktuar gjithashtu mungesa të energjisë në disa rajone dhe ka goditur prodhimin bimor në vend, duke kërcënuar të rrisë më tej çmimet e ushqimeve.

(Kosova Sot Online)