Policia bastis zyrat e Ndërmarrjes Publike Banesore

  • E /
  • 21 July 2022 - 15:42
Policia bastis zyrat e Ndërmarrjes Publike Banesore

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka realizuar një urdhër kontroll në Ndërmarrjen Publike Banesore (NPB).

Siç thuhet në një njoftimin për media të NPB-së, bastija u krye për të marrë dokumente që ndërlidhen me projektin afaristo-banesor të NPB-së, i planifikuar të ndërtohet në lagjen “Lakrishte” në Prishtinë.

Këtë bastisje, NPB-ja e ka konsideruar shkelje ligjore të policisë.

Përmes një komunikate për media, NPB-ja ka pretenduar se dokumentet që Policia ka marrë, i janë dorëzuar organeve rreth 5 muaj më herët.

“Pasur parasysh këtë fakt, kërkesa e tyre është e pakuptimtë. Përgjatë orëve që këta zyrtarë policorë ishin në ambientet tona, kanë bërë shkelje ligjore. Ata kanë qëndruar në dy kate duke mos lejuar praninë e askujt nga zyrtarët tanë  për rreth një orë. Për më shumë ata kanë tejkaluar çdo limit me një veprim tjetër po ashtu të kundërligjshëm: për një orë që ata kanë qëndruar pa prezencën e zyrtarëve të NPB në katin e dytë dhe të tretë i kanë ndalur të gjitha kamerat e sigurisë”, thuhet në komunikatën e NPB-së.

Sipas Ndërmarrjes Publike Banesore, e gjithë kjo veprimtari e zyrtarëve policor është në kundërshtim me dispozitat përkatëse të procedurës penale dhe për të njëjtën NPB-ja ka paralajmëruar se do të merr hapat e nevojshëm ligjor.

“NPB deri më tani ka dëshmuar bashkëpunim me çdo insitucion publik në raport me çdo kërkesë që i është paraqitur përfshirë këtu edhe organet e rendit publik në përputhje me nenin 66 të Kodit nr. 04/L-123 të Procedurës Penale”, thuhet tutje në komunikatë.

Projekti për objektin afaristo-banesor në “Lakrishtë”, i cili është iniciuar nga NPB-ja dhe do të ndërtohet në partneritet publiko-privat, ishte pezulluar pas padisë së ushtruar nga Ministria e Ambientit.

Në muajin prill të këtij viti, Gjykata e Apelit i ka dhënë të drejtë Ndërmarrjes Publike Banesore kundër padisë së Qeverisë së Kosovës, për projektin e ndërtimit të një objekti shumëkatësh.

Kësisoj, i është hapur rrugë procesit të ndërtimit të objektit afarist në partneritet publiko-privat.

(Kosova Sot Online)