
KOSTT i ankohet: Pala serbe po e neglizhon zbatimin e marrëveshjes për energji

Deputetë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë shkuar në vizitë në KOSTT për t’u informuar nga afër me situatën rreth gjendjes energjetike në vend.
Siç thuhet në njoftimin e partisë, temë kyçe e këtij takimi ishte implementimi i marrëveshjes së re të energjisë dhe stabiliteti energjetik në vend.
Deputetët thanë se KOSTT ka treguar se pala serbe është ajo që po e neglizhon zbatimin e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“Nga drejtuesit e KOSTT u njoftuam për neglizhencën e palës serbe për implementim të marrëveshjes së energji, ku KOSTT ka përmbushur gjitha obligimet në këtë marrëveshje, ndërkaq i mbetet palës serbe të reflektojë përndryshe marrëveshja do jetë e vështirë të zbatohet. Shqetësimi i tyre mbetet mbulimi i mëtejshëm i shpenzimit të rrymës në pjesën veriore, ku vetëm gjatë 6 mujorit të parë të këtij viti janë 32 milionë euro barrë për pagesë. Sipas tyre, me kapacitetet ekzistuese do të jetë e papërballueshme të plotësohet konsumi i energjisë gjatë sezonit dimëror”, thuhet në njoftim.
AAK thotë se Grup Parlamentar i partisë me kohë ka paralajmëruar Qeverinë për krizën energjetike, por ka akuzuar Qeverinë se e kanë neglizhuar gjendjen.
“Ne, do ta japim kontributin tonë që qytetarët mos të pësojnë nga kjo gjendje por t’i sigurohet furnizim me energji pa rritje të çmimit aktual”.
(Kosova Sot Online)