Macron kritikohet pse po e pret në Paris princin saudit

  • A.P /
  • 28 July 2022 - 15:43
Macron kritikohet pse po e pret në Paris princin saudit

Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë kritikuar vendimin e Emmanuel Macron për ta pritur në bisedime  Princin saudit të Kurorës, Mohammed bin Salman, në Paris gjatë vizitës së parë të tij në Europë që nga vrasja gati katër vjet më parë e gazetarit Jamal Khashoggi.

Princi Mohammed, sundimtari de fakto i prodhuesit të dytë më të madh të naftës në botë, mbërriti në aeroportin francez Orly të mërkurën mbrëma pasi ishte ndalë në Greqi dhe u përshëndet nga ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, raportojnë mediat franceze.

Ai do të mirëpritet në Pallatin Élysée të enjten për një darkë pune, në të cilën presidenti francez pritet t’i kërkojë atij të rrisë prodhimin e naftës saudite në mes shqetësimeve të Perëndimit për mungesën e energjisë gjatë dimrit pas pushtimit rus të Ukrainës, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Vizita shënon një hap të mëtejshëm në rehabilitimin e Princit Mohammed pasi Khashoggi u vra në konsullatën saudite në Stamboll në vitin 2018, vrasje e cila sipas një hetimi të OKB-së e përshkroi si një “vrasje jashtëgjyqësore për të cilën Arabia Saudite është përgjegjëse”.

Hetimi arriti në përfundimin se kishte “prova të besueshme” për të justifikuar hetimin e mëtejshëm të zyrtarëve të nivelit të lartë sauditë, përfshirë Princin Mohammed, për të cilin agjencitë e inteligjencës amerikane pretendojnë se e ka miratuar operacionin. Riadi ka fajësuar agjentët ‘mashtrues’.

Presidenti i SHBA, Joe Biden, udhëtoi në Arabinë Saudite në fillim të këtij muaji, duke përshëndetur princin e kurorës me grusht, ndërsa Macron vizitoi mbretërinë dhjetorin e kaluar derisa edhe Boris Johnson i Britanisë e ndoqi këtë shembull në mars.

(Kosova Sot Online)