Bërnabiç e pakënaqur me deklaratat e Escobar-it dhe Borrell-it, dialogu s’do të prodhojë asgjë

  • G.G /
  • 06 August 2022 - 10:17
Bërnabiç e pakënaqur me deklaratat e Escobar-it dhe Borrell-it, dialogu s’do të prodhojë asgjë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, është skeptike se takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Sebrisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të dialogut, do të prodhojë diçka.

Skepticizmin e saj, Bërnabiç e argumenton me atë se sipas saj, Albin Kurti dhe pala kosovare në këtë rast nuk dëshirojnë të flasin e të gjejnë zgjidhje.

Ajo është ndarë e pakënaqur edhe me deklaratën e fundit të kreut të diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili tha se Bashkimi Evropian nuk mund të detyrojë Prishtinë të bëjë asgjë, kur është fjala për implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Nuk shoh hapësirë për të bërë hapa pozitive në dialog, kur Kurti nuk dëshiron të flasë. Po ashtu më tremb fakti që Borrell, tha se nuk mund të detyrojnë Prishtinë të bëjë asgjë. Për çka po flasim ne, kur BE-ja është garantuese e Marrëveshjes së Brukselit”, ka deklaruar Brnabiç për Radio Televizionin e Serbisë, RTS.

Në pyetjen se a është sinjal pozitiv kur zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit Gabriel Escobar thotë se më 18 gusht në Bruksel duhet të diskutohet për formimin e Asociacionit, Bërnabiç ka thënë se nuk ka fije shprese edhe në këtë deklaratë, pasi sipas saj Escobar kërkon që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Nëse është kështu, atëherë realisht nuk kemi çfarë të flasim. Gjykatë Kushtetuese e Kosovës ka thënë se mënyra se si është rënë dakord për Asociacionin në Bruksel nuk është në përputhje me kushtetutën. Marrëveshja e Brukselit nuk është më e vlefshme në praktikë, gjë që do ta bënte dialogun të pakuptimtë”, ka shtuar ajo.

Asociacioni nuk duhet të krijojë shtet brenda shtetit

Sipas të dërguarit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk duhet të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, dhe të krijojë “shtet brenda shtetit”.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar potencoi se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi,

Megjithatë sipas tij një diskutim më të detajuar duhet të ketë për çështjen e Asociacionit, që e njëjta të mos bie ndesh me ligjet e Kosovës.

“Por, Asociacioni nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, të pengojë funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda shtetit”, ka thënë Escobar.

Sipas top-diplomatit amerikan ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojnë.

“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.

Çka pritet të diskutohet në takimin e 18 gushtit në Bruksel?

BE insiston që Kosova të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, por nuk ka mundësi “të detyrojë” Kosovën për ta bërë atë, thuhet në një përgjigje për N1 nga kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell.

“Themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe është rënë dakord nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, në Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013. Marrëveshja është ratifikuar nga parlamenti i Kosovës dhe Kosova duhet ta përmbushë obligimin ligjor dhe ta zbatojë atë pa asnjë vonesë”.

“Të dyja palët duhet të përmbushin të gjitha detyrimet e tyre ligjore ndërkombëtare dhe të zbatojnë marrëveshjet në pritje, si dhe të bëjnë përpjekje të mëtejshme domethënëse për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve, e cila është kyçe në rrugën e tyre evropiane”, tha Borell në një përgjigje me shkrim.

Përveç Asociacionit, në përgigjen e Borell kërkohet edhe implementimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronat e pretenduara nga Manastiri i Deçanit. Edhe për këtë, zbatimi kërkohet “pa asnjë vonesë”.

“BE-ja i kushton rëndësi të madhe sundimit të ligjit, mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore, duke përfshirë të drejtat dhe liritë fetare të komuniteteve pakicë dhe monitoron me kujdes të gjitha zhvillimet në këto zona në Kosovë”, shtoi Borell.

BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se nuk kanë mekanizma për t’i “detyruar” dy palët që të respektojnë marrëveshjet e nënshkruara, por vetëm për t’ua kujtuar atë dhe se në përputhje me përmbushjen e obligimeve, Kosova dhe Serbia do të përparojnë në rrugën drejt BE-së.

Arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme ndërmjet dy palëve mbetet një kusht i pandryshuar për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

(Kosova Sot Online)