Kosova identifikon 30 raste të fushatës së Serbisë për çnjohje

  • A.P /
  • 07 August 2022 - 13:23
Kosova identifikon 30 raste të fushatës së Serbisë për çnjohje

Kosova ka arritur të identifikojë rreth 30 raste kur Serbia ka bërë një fushatë për çnjohje të pavarësisë në vende të ndryshme, por pa sukses. Kështu ka deklaruar zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, i cili ka folur për ngjarjet e fundit në veri të vendit, përgatitjet për aplikim në Bashkimin Evropian dhe takimin e radhës në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Zëvendësministri Ahmeti mohon se ka diçka të vërtetë në deklarimet e zyrtarëve serbë se Kosovës po i tërhiqen njohjet e pavarësisë.

Ai thotë se këto janë reagime absurde që vijnë pas veprimeve të natyrshme të shtetit të Kosovës për t’u bërë pjesë e organizatave ndërkombëtare.

“Nuk ka asgjë të vërtetë nga ato që janë thënë sa i përket çnjohjeve, e dini edhe ju si media por edhe publiku që nuk është publikuar asnjë emër, ka pasur tentime të cilat i kemi parandaluar, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Pra duhet ta kemi parasysh që fushata e të ashtuquajtur çnjohje e Serbisë nuk është ndalë asnjëherë, ne kemi identifikuar edhe në periudhën kur ishte marrëveshja, zotimet e Uashingtonit, pra moratoriumi që Serbia e pranoi që mos ta bëjë atë fushatë, kemi identifikuar afër 30 raste kur Serbia ka bërë një fushatë të tillë në vende të ndryshme. Pas moratoriumit kjo veç është intensifikuar por deri më tani pa sukses, dhe jam i bindur që nuk do të jetë e suksesshme sepse është kuptuar konteksti gjeopolitik veçanërisht pas fillimit të luftës në Ukrainë ku Serbia haptas është rreshtuar në anën e Federatës Ruse”, thotë zëvendësministri i Jashtëm.

(Kosova Sot Online)