
Sindikata kërkon të shmangen arrestimet spektakolare të Policëve të Kosovës

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që të evitojë spektaklin në arrestimet e zyrtarëve policorë. Sipas tij, ka pasur shumë raste kur persona të arrestuar me bujë të madhe, janë shpallur të pafajshëm më pas.
“Kemi reaguar sepse nëse vetëm një polic do të jetë i pafajshëm, a duhet dikush të marrë përgjegjësinë? Tani kemi vendim që janë të pafajshëm. Kam siguruar edhe vendime të arrestimeve paraprake dhe po e them me përgjegjësi se shumica e rasteve të hetuar nga IPK-ja, shumica e tyre, më shumë se normalja, që janë të liruar pa prova dhe punojnë në punë zyrtare”, ka thënë ai duke shtuar se zyrtarët policorë po pësojnë nga njolla që u vihet. “Ka humbur imazhi i personit, i familjes, i institucionit, kur dikush arrestohet i pafajshëm. Lajm bëhet arrestimi, asnjëherë s’bëhet lajm kthimi i pafajshëm”.
Zeqiri ka thënë se një zyrtar policor nuk duhet që të arrestohet pa u kryer hetimet preliminare apo të sigurohen provat e mjaftueshme që forcojnë dyshimin e bazuar. “S’duhet të ketë arrestime spektakolare… arrestime në grup e para kamerave dhe mediave”, ka thënë ai.
(Kosova Sot Online)