
Si po i ecën VV-së grupi në rrjetin social Telegram

Lëvizja Vetëvendosje ka gati një javë që i ka ftuar mbështetësit e saj të bashkohen në rrjetin social, Telegram.
Që nga java e kaluar, partia më aktive dhe më e organizuar në Facebook shpalli synimin për t’u zgjeruar edhe në një rrjet tjetër social.
LVV të martën e javës që shkoi i kishte ftuar anëtarët e mbështetësit që t’i bashkoheshin partisë në rrjetin social të themeluar në vitin 2013 nga vëllezërit rusë, Nikolai dhe Pavel Durov.
“Të dashur anëtare e anëtarë, mbështetës dhe ju aktivistë, Ju ftojmë të na bashkoheni në kanalin e informimit të Lëvizjes në Telegram. Ndiqni linkun më poshtë dhe regjistrohuni për më shumë info drejtpërdrejtë nga Lëvizja”, shkruante LVV.
Telegrami ofron, ndër tjerash, biseda të enkriptuara.
“Bisedat dhe grupet janë të koduara midis aplikacionit dhe serverit, kështu që ISP-të dhe palët e tjera të treta në rrjet nuk mund të kenë qasje në të dhëna, por serveri i Telegram mundet”, thuhet në përshkrimin që ky rrjet social ia bën vetes.
Pavel Durov, njëri nga dy themeluesit, ishte larguar nga Rusia pasi thuhet se nuk i kishte rezistuar presionit të regjimit të Vladimir Putinit.
(Kosova Sot Online)