A do t’i bindin Kurtin e Vuçiqin/ SHBA dhe BE deri më 1 shtator

  • A.P /
  • 22 August 2022 - 17:28
A do t’i bindin Kurtin e Vuçiqin/ SHBA dhe BE deri më 1 shtator

Kanë mbetur dhjetë ditë kohë. Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës u duhet që brenda këtyre ditëve të luftojnë kundër kohës për t’i bërë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq që ta nënshkruajnë një marrëveshje.

Zbatimi i vendimeve të Qeverisë për targat e automjeteve dhe fletë-deklarimet në kufi si masë reciproke me Serbinë u shty për 1 shtator dhe tensionet në veri të Kosovës u ulën disi. Por tani shtatori është afruar dhe deri të mërkurën e javës së ardhshme Kurti e Vuçiq pritet të vihen sërish përballë njëri-tjetrit për ta arritur një marrëveshje.

Gjashtë muaj pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, BE-ja dhe SHBA-ja po përpiqen ta parandalojnë një konflikt në Ballkan, me NATO-n që ka deklaruar disa herë se do të intervenojë në rast nevoje.

Ndërsa institucionet e BE-së janë në kohën e pushimeve verore deri në fund të gushtit, kryediplomati europian Josep Borrell dhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak janë shumë të ngarkuar këto ditë dhe kështu do të jenë të paktën edhe disa ditë.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano është në pushim po ashtu, ndërsa zëvendësuesit e tij nuk i janë përgjigjur se kur do t’i thërrasin Kurtin e Vuçiqin për takimin e radhës në Bruksel. Të enjtën më 18 gusht, ata nuk arritën ndonjë marrëveshje as pas pesë orë bisedimesh.

Escobar qëndroi në Bruksel më 18 gusht, kur Kurti dhe Vuçiq diskutuan për një zgjidhje të mundshme. I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, pritet ta vizitojnë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin. Ata do të takohen edhe me krerët e opozitës.

“Kryetari i PDK-së, Z. Memli Krasniqi është i ftuar nga Z. Escobar për darkë pune të martën pasdite në rezidencën e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë”, bënë të ditur burime  në këtë parti.

Rundi i fundit i dialogut nuk është konsideruar i mbyllur në BE deri sa të mos gjendet një zgjidhje.

Vuçiq dje në një konferencë për media foli gjerë e gjatë në stilin e tij teatral dhe patetik për takimin e fundit me Kurtin. Pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, strukturave të tij ilegale këtu, Vuçiq tha se e ka marrë mbështetjen e tyre për gjetjen e një kompromisi me Kosovën.

Kurti nuk foli fare.

Në Europë, në selinë e NATO-s në Bruksel, por edhe në Washington, kambanat e alarmit ranë në fund të muajit të kaluar kur në veri të Kosovës u krijua një atmosferë lufte.

Në afërsi të pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak strukturat ilegale të Beogradit krijuan barrikada me makineri të rënda dhe kamionë, në afërsi të të cilave qëndronin persona të maskuar e të armatosur.

Në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës u qëllua me armë zjarri. Para mesnarës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për t’i bindur që ta shtyjnë zbatimin e dy vendimeve të Qeverisë.

Kosova synon të vë rregulla të reja në pikëkalimet kufitare me Serbinë, të barabarta me ato që Serbia tash e shumë vjet i aplikon për kosovarët. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, serbët që futen në Kosovë duhet ta marrin një fletë-deklarim të vlefshëm 90 ditë nga institucionet e Kosovës.

Po ashtu, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve që t’i ndërrojnë targat që i lëshon Serbia për serbët e Kosovës (KM, UR, PR e të ngjashme) me ato RKS (Republika e Kosovës). Për ata që i zëvendësojnë targat, Qeveria i ka hequr të gjitha tarifat.

Nga fillimi i këtij muaji, ka pasur një qetësi të tensionuar në veri. Por në fund të këtij muaji, BE-ja dhe SHBA-ja kanë frikë se zjarri mund të ndizet sërish dhe për ta parandaluar këtë po angazhohen që t’i bindin palët për ta nënshkruar një marrëveshje këto ditë.

Ndërsa në Bruksel dhe Washington kërkohet që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje për targat dhe dokumentet e serbëve në kufi, për Rusinë s’do të ishte keq një tjetër shpërthim lufte në Ballkan. Kremlini duket se sheh mundësi të mira për veten në pushtimin e Ukrainës kur Perëndimit do të mund t’i duhej ta ndante vëmendjen mes dy krizave.

(Kosova Sot Online)