Bombarderët amerikanë edhe në qiellin e Malit të Zi

  • A.P /
  • 22 August 2022 - 22:04
Bombarderët amerikanë edhe në qiellin e Malit të Zi

Sikurse në Shqipëri e Maqedoni, edhe në Mal të Zi sot kanë fluturuar bombarderët amerikanë.

Këto fluturime po kryhen për të treguar përkushtimin ndaj aleatëve të NATO-s, teksa janë rritur tensionet për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Qëllimi i këtyre fluturimeve është për të demonstruar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara dhe për të siguruar aleatët e NATO-s dhe partnerët tanë që gjenden në Evropën Juglindore”, u tha në deklaratën e forcave ajrore amerikane në Evropë.

Avionët luftarakë B-52H Stratofortress janë avionë me rreze të gjatë veprimi dhe kanë aftësi që të bartin bomba dhe të kryejnë sulme me një seri armësh të inventarit të ushtrisë amerikane.

Aleatët e NATO-s po dërgojnë anije dhe avionë luftarakë për të forcuar krahun lindor të Aleancës në kundërpërgjigje ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë.

Në qershor, forcat ajrore amerikane kishin dërguar dy avionë F-35 për të kryer fluturime mbi shtetet e Baltikut. 

(Kosova Sot Online)