Amerika sinjale se mund ta përdorë edhe 'artilerinë' e rëndë: Escobar e Lajçak zbarkojnë për ta ruajtur paqen në Veri

  • A.P /
  • 23 August 2022 - 16:29
Amerika sinjale se mund ta përdorë edhe 'artilerinë' e rëndë: Escobar e Lajçak zbarkojnë për ta ruajtur paqen në Veri

Escobar dhe Lajçak këtë do t’i dëshmojnë me veprime përpjekjet e tyre për ta bërë Kosovën dhe Serbinë ta nënshkruajnë një marrëveshje. Ndërsa u paralajmërua se serbët do t’i rezistojnë me armë zbatimit të dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës më 1 shtator, SHBA bëri me dije se  është e gatshme të përfshihet edhe me artilerinë e rëndë, Sekretarin e Shtetit.  Për ta arritur këtë, Antony Blinken nuk do të hezitojë që të paktën t’i thërrasë në telefon Kurtin dhe Vuçiqin.

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, do të vijnë sot në Prishtinë, kur kanë mbetur edhe pak ditë kohë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ta gjejnë një marrëveshje për targat e automjeteve dhe fletë-deklarimet në kufi.

Qeveria e Kosovës e shtyu për 1 qershor zbatimin e vendimeve për targat e automjeteve dhe fletë-deklarimet në kufi si masë reciproke me Serbinë.

Escobar do të takohet sot në 16:30 me presidenten Vjosa Osmani. Me kryeministrin Albin Kurti për sot u tha se nuk ka takim. Për takim eventual nesër nuk ka njoftim.

Në darkë, Escobar do t’i presë liderët e partive opozitare në rezidencën e ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë.

Escobar dhe Lajçak vijnë në Prishtinë pasi të enjten e 18 gushtit Kurti dhe Vuçiq nuk arritën ndonjë marrëveshje as pas pesë orë bisedimesh.

Kurtin dhe Vuçiqin duket se do t’i thërrasin sërish në Bruksel para 1 shtatorit dhe atëherë Escobar dhe Lajkçak duan një marrëveshje të nënshkruar nga të dy. Në BE nuk kanë treguar se kur mund të zhvillohet ky takim. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano është në pushim, ndërsa zëvendësuesit e tij nuk i janë përgjigjur Gazetës Express për këtë çështje.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është shprehur i gatshëm të përfshihet edhe personalisht në dialogun Kosovë – Serbi nëse është nevoja për të arritur diçka përfundimtare, bëri të ditur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.

“Nëse e shohim të udhës se angazhimi i Sekretarit përmes telefonit ose personalisht është diçka e domosdoshme për të arritur diçka të tillë në vijën e finishit, Sekretari Blinken nuk heziton të marrë telefonin dhe t’i bëjë ato biseda”, ka thënë Price.

Të mërkurën është planifikuar të mbahet një mbledhje e Qeverisë dhe zëdhënësi Përparim Kryeziu ka thënë se Kurti aty do të flasë për takimin e 18 gushtit me Vuçiqin.

Rundi i fundit i dialogut nuk është konsideruar i mbyllur në BE deri sa të mos gjendet një zgjidhje.

Kambanat e alarmit ranë në fund të muajit të kaluar në Europë, në selinë e NATO-s në Bruksel, por edhe në Washington, kur në veri të Kosovës u krijua një atmosferë lufte.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar disa herë se do të intervenojnë në rast nevoje.

“Nëse ka nevojë, ne do të lëvizim forcat dhe do të rrisim prezencën tonë. Tashmë kemi rritur prezencën në veri. Ne do të veprojmë kur ka nevojë, dhe në mënyrë proporcionale”, ka thënë Stoltenberg.

Intervenimi i NATO-s nisi të merrej me mend natën e fundit të korrikut, kur në afërsi të pikëkalimeve kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak strukturat ilegale të Beogradit krijuan barrikada me makineri të rënda dhe kamionë. Afër tyre qëndronin persona të maskuar e të armatosur.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të dielën u takua me përfaqësuesit e strukturave ilegale të tij në Kosovë dhe pas takimit kërkoi që Policia e Kosovës të mos e shkelë veriun. Një ‘kërcënim’ e pati edhe për KFOR-in, që tha se ata duhet “t’i mbrojnë” serbët dhe se “nëse ata s’e bëjnë, do ta bëjmë ne”.

Kohët e fundit në veri të vendit disa herë shkrepën armët në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Për fat, askush s’pësoi. Atje tani mbizotëron një qetësi e tensionuar.

Para mesnatës ndërmjet 31 korrikut dhe 1 gushtit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier e kishte takuar presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti për t’i bindur që ta shtyjnë zbatimin e dy vendimeve të Qeverisë.

Deri tani, synimi i Kosovës mbetet i njëjtë: vendosja e rregullave të reja në pikëkalimet kufitare me Serbinë, të barabarta me ato që Serbia tash e shumë vjet i aplikon për kosovarët. Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, serbët që futen në Kosovë duhet ta marrin një fletë-deklarim të vlefshëm 90 ditë nga institucionet e Kosovës.

Po ashtu, kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje serbëve edhe që t’i ndërrojnë targat që i lëshon Serbia për serbët e Kosovës (KM, UR, PR e të ngjashme) me ato RKS (Republika e Kosovës). Për ata që i zëvendësojnë targat, Qeveria i ka hequr të gjitha tarifat.

Kur kanë mbetur pak ditë nga 1 shtatori, BE-ja dhe SHBA-ja kanë frikë se zjarri mund të ndizet sërish. Për ta parandaluar këtë, Lajçak dhe Escobar po angazhohen edhe fizikisht, duke marrë udhë për Prishtinë. Pas Prishtinës, do të shkojnë edhe në Beograd.

(Kosova Sot Online)