
Nesër jepet masa për 3 'spiunët' që tentuan të hyjnë në Uzinën e Armëve në Gramsh

Dy ruset dhe një ukrainas që tentuan të futeshin pasditen e së dielës në Uzinë e Përpunimit të Armëve në Gramsh, do të dalin nesër para gjykatës së Elbasanit për tu njohur me masën e sigurisë.
Të arrestuarit janë dy rusët Svetlana Timofoeva, Mikhail Zorin dhe ukrainasi Fjodor Mihajlov.
Burime për Abc bëjnë me dije se ditën e sotme, prokurori i çështjes Kreshnik Ajazi dorëzoi në gjykatë kërkesën për caktimin e arrestit në burg për tre të huajt, duke i akuzuar ata për tre vepra penale, sigurimi i informacionit të klasifikuar, goditje për shkak të detyrës ndaj efektivëve, si dhe mbajtja pa leje e municioneve luftarake.
Kjo e fundit është ngritur nga prokuroria, pasi në automjetin e tyre u gjet edhe një plumb.
Kujtojmë që ngjarja ndodhi pasditen e së djelës, 21 gusht, tre shtetasit e huaj kanë tentuar të hyjnë në Uzinën e Armëve në Gramsh, por janë pikasur nga dy ushtarakët shqiptarë që kanë qenë në krye të detyrës, Ardi Bici dhe Ardjan Xhaka.
Mes palëve pati një konfrontim ku mbetën të lënduar dy ushtarët shqiptar pasi u sulmuan nga shtetasit e huaj, të cilët kanë përdorur sprije.
Pas këtij momenti dy ushtarakët shqiptarë janë dërguar në spital ku kanë marrë ndihmën mjekësore, ndërsa tre shtetasit e huaj janë ndaluar nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit.
(Kosova Sot Online)