Kosova dhe Serbia bien dakord për dokumentet e identifikimit

  • E.K /
  • 28 August 2022 - 09:31
Kosova dhe Serbia bien dakord për dokumentet e identifikimit

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell, tha se Serbia dhe Kosova arritën një marrëveshje mbi lëvizjen e qytetarëve të të dyja vendeve.

“Kemi një marrëveshje. Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet hyrëse – dalëse për bartësit e dokumenteve të identifikimit të Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i zbatojë ato për qytetarët nga Serbia”, shkroi zoti Borrell, duke e cilësuar këtë një zgjidhje evropiane.

Ai i përgëzoi udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë për këtë marrëveshje e cila pasoi një periudhë tensionesh ndërmjet palëve pas vendimit të qeverisë së Kosovës që të zbatojë masat e reciprocitetit për përdorimin e dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, falënderoi “të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe diplomacinë amerikane për përkushtimin e fuqishëm të tyre në mbështetjen e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkroi në rrjetet sociale se “qytetarët e Republikës së Kosovës, me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga shteti ynë, do të mund të kalojnë pa pengesa, ngarkesa e vonesa kufirin me Serbinë në të gjitha vendkalimet kufitare. Njësoj do të vlejë edhe për kahjen e kundërt me rastin e hyrjes në Kosovë me dokumente identifikimi (ID) të lëshuara nga autoritetet e Serbisë”, duke nënvizuar se “fryma e bisedimeve parimore e të barabarta në Bruksel është reciprociteti. Zgjidhjet normalizuese duhet ta kenë reciprocitetin përbrenda, teksa marrëdhëniet e mira fqinjësore e nënkuptojnë atë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkroi në rrjetet sociale se “liria e lëvizjes është themeli i shoqërive demokratike e i vlerave evropiane. Republika e Kosovës çdo ditë e më shumë po kontribuon në paqe dhe stabilitet”.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama e cilësoi lajm të bukur “zgjidhjen me dialog të çështjes së lëvizjes së lirë mes Serbisë e Kosovës, e bashkë me urimet për të dy palët uroj që ky zhvillim ta çojë dialogun në një nivel të ri, për të mos humbur kohë dhe energji pafund në arritjen e gjërave kaq thjeshtësisht logjike sa kjo sot”.

Marrëveshja pasoi një periudhë përpjekjesh diplomatike amerikane dhe evropiane për të shmangur tensionet në terren që shpërthyen më 31 korrik pas reagimeve serbe ndaj vendimit të qeverisë qendrore në Prishtinë që dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave të lëshuara nga Serbia, të mos vlejnë në territorin e Kosovës, një veprim që zbatohet nga Beogradi për qytetarët e Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi tash e mbi dhjetë vjet me radhë.

Qeveria e Kosovës vendosi me kërkesën amerikane të shtyjë zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

Më herët të shtunën presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Beogradi mund të pranojë që qytetarët e Kosovës të lëvizin nëpër Serbi me dokumentet e tyre të identifikimit, por më një kusht, në vendkalimet kufitare duhet të vihet një shënim që shpjegon se kjo bëhet për arsye praktike dhe nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës. Por ai tha se çështja e targave është më e ndërlikuar dhe nuk ka shenja të ndonjë kompromisi me Kosovën.

Borrell shfaqi shpresën se palët do të përfshihen në mënyrë konstruktive në kërkim të një zgjidhjeje edhe për përdorimin e targave të makinave. Ai ritheksoi në një deklaratë se në kohën e luftës së Rusisë në Ukrainë, kontinentit evropian nuk i duhen probleme dhe tensione. /VOA

(Kosova Sot Online)