
Rahimaj tha se ka filluar mësimi në një çerdhe në Kamenicë, Kastrati: Aty ishin vetëm praktikantët

Ish-kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, tha se kryetari aktual, Kadri Rahimaj, dje ka postuar fotografi të fëmijëve “që kinse kanë nisur mësimin në çerdhen “Filizat” në qytetin e Kamenicës”.
Kastrati thotë se me këtë veprim, Rahimaj “është përfshirë në skandalin e radhës i dirigjuar nga pushteti qendror”.
Ndër të tjerash, Kastrati shkruan se edukatoret dhe stafi i çerdhes janë në grevë, ndërsa fëmijët kanë qenë në mbikqyrjen e pratikantëve.
“Por, çka nuk ka përmendur aty, është fakti që edukatoret dhe i gjithë stafi i çerdhes janë në grevë, prandaj edhe mësimi nuk do duhej të vijonte. Ata fëmijë kanë qëndruar gjatë tërë ditës nën mbikqyrjen e praktikantëve që janë së voni duke mbajtur praktikë në këtë institucion. Këta praktikantë u detyruan madje edhe të përgatisin ushqimin. Pra, fëmijët kanë qenë në dorën e dikujt që nuk është adekuat për t’u kujdesur për ta. Sigurisht, nën urdhërat e Kurtit e Kadrisë”, ka shkruar Kastrati.
“Po të kishin këta njëmend ndjeshmëri për fëmijët atëherë nuk do t’i mashtronin e t’i linin pa mësim për interesa partiake edhe në të kaluarën. Ndjeshmëria e tyre fallco është e lidhur ngushtë me luftën e Kurtit ndaj sindikatave në grevë. Këta nuk e kanë problem të përdorin fëmijë vetëm që të arrijnë qëllimet e tyre politike, qoftë ajo edhe një goditje e ulët ndaj sindikatave. Këta kanë humbur çdo kompas moral vetëm që të shtrojnë pushtetin e tyre në çdo cep të shoqërisë.”
Kastrati thotë se “kjo praktikë, pos që është e gabuar, është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe e papranueshme”.
Dje kryetari Rahimaj tha se ka filluar procesi mësimor në kopshtin “Filizat” në Kamenicë dhe në SHFMU “Abdullah Krashnica-Presheva” në Koretin.
“Ka filluar të normalizohet procesi mësimor, dhe kështu do të ndodhë edhe me shkollat e tjera nga nesër. I ftoj prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë”, ka shkruar Rahimaj në Facebook.
(Kosova Sot Online)