Ky është i dyshuari për vrasjen e rëndë në tentativë në Pejë

  • A.P /
  • 11 September 2022 - 11:19
Ky është i dyshuari për vrasjen e rëndë në tentativë në Pejë

Për motive ende të panjohura, një person u plagos mbrëmë me armë zjarri në fshatin Lutogllavë, të komunës së Pejës. Media online raportoi se viktima u qëllua nga miku i tij, në një rrugë të fshatit dhe për pasojë u plagos, për çka po merr trajtim në QKUK. Ndërsa i dyshuari tashmë ndodhet nën masën e ndalimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi i dyshuar për këtë rast, i cili është dorëzuar në Polici disa orë pasi u shpall në kërkim është Xhevat Berisha, 49-vjeçar. Ai po dyshohet se qëlloi mikun e tij 44-vjeçar (emër i njohur për redaksinë).

Sinjali pak më parë raportoi me detaje nga ky rast, që është cilët si “vrasje e rëndë në tentativë”.

Gjithçka dyshohet se ndodhi, në orët e mbrëmjes, në rrugën Shpati, të fshatit Lutogllavë, ku i dyshuari e kishte dërguar mikun e tij, për t’i qëruar hesapet. Aty, pas një konflikti verbal, 49-vjeçari e kishte nxjerrë armën, duke gjuajtur në drejtim të viktimës dhe më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes,

Posa Policia ka marrë informacionin për personin e plagosur, njësitet policore bashkë me autoambulancën, kanë dalë në vendin e ngjarjes, prej ku viktima është dërguar në Spitalin e Pejës. Por, për shkak të gjendjes shëndetësore, të njëjtin e kanë transferuar në QKUK, thonë burimet nga Emergjenca.

Në anën tjetër, pas një bastisje në shtëpinë e tij në këtë fshat, është gjetur një armë që dyshohet se ka qenë në posedim të të dyshuarit, teksa ky i fundit u dorëzua.  Ndonëse tentoi t’iu ikë prangave, pas disa orësh ai u paraqit në Polici, ku dorëzoi edhe armën e përdorur, me ç’rast ka dhënë deklaratë mbi motivet që e kanë shtyrë ta plagos viktimën.

Burimet thonë se pas intervistimit, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh, për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”.

(Kosova Sot Online)