SBASHK: Le ta dinë të gjithë se orët e humbura nuk do të zëvendësohen

  • A.P /
  • 11 September 2022 - 13:10
SBASHK: Le ta dinë të gjithë se orët e humbura nuk do të zëvendësohen

Greva në arsim sot hynë në ditën e tetëmbëdhjetë dhe institucionet e sindikata e arsimit, duken larg zgjidhjes së problemit. Derisa, greva po vazhdon pikëpyetje mbetet zëvendësimi i orëve të humbura. Ekspert e mësimdhënës, thonë se zëvendësimi i orëve gjatë vikendeve apo pushimeve verore, nuk është dëshmuar si efektiv. Kurse, në SBASHK, thonë se ato orë nuk do të zëvendësohen.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura dhe Sindikata e Arsimit të premten dhanë sinjale pozitive dhe shpresë se një marrëveshje me Qeverinë mund të arrihet gjatë vikendit. Por të shtunën u ashpërsua gjuha në mes institucioneve dhe SBASHK-ut. Në këtë të fundit thanë se do të qëndrojnë në kërkesën për 100 euro, sepse është kërkesë e gjithë anëtarësisë, të cilët nuk janë pajtuar me 50 eurot e pakos së re të Qeverisë, e cila parashihet për katër muaj.

Po në të njëjtën ditë, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se situata aktuale më shumë është shantazh, e përballë shantazhit nuk ka rrugë tjetër veçse të qëndrojnë për vlerat antishantazh.

Gjatë 18 ditëve të grevës, ajo që është përmendur është edhe zëvendësimi i orëve. Kundër këtij zëvendësimi fillimisht doli Këshilli i Prindërve, të cilët thanë se do të bojkotojnë orët e humbura të mësimit pas përfundimit të grevës. Ndërkohë, ekspertë e mësimdhënës thonë se ky zëvendësim nuk po ka efekt.

(Kosova Sot Online)