
Drejtori i DKA-së në Kamenicë shpall fillimin e mësimit

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Kamenicës, Lulzim Dërvishi, sipas një drejtoreshe, ka kërkuar që t’i thërrasin nxënësit në shkollë. Ndërsa vetë drejtori i komunës që e udhëheq Lëvizja Vetëvendosje thotë se s’ka kërkuar ai “por prindërit”. Qeveria dhe sindikatat nuk kanë arritur akoma marrëveshje, për t’u kryer greva.
Zëvendësdrejtoresha e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Skënderbeu” në Hogosht të Kamenicës, sot ka dërguar një mesazh në grupin e kësaj shkolle në Viber. Në mesazhin që e ka siguruar media online shkruan se drejtori i Arsimit në këtë komunë, Afrim Dervishi, ka kërkuar që nesër të fillojë mësimi në këtë shkollë. Një gjë të tillë e mohon vetë drejtori i DKA-së.
“Sot erdhën në shkollën tonë drejtori i DKA-së z.Afrim Dervishi, ku më njoftoi për fillimin e procesit mësimor që nesër ta publikoni në faqen e shkollës suaj dhe njëkohësisht t’i njoftoni nxënësit dhe mësimdhënësit që të fillojë nesër mësimi. Sot ta publikoni në faqe të shkollës”, thuhet në mesazhin që Hanife Ferizi, që kryen funksionin e drejtoreshës së shkollës, e ka dërguar në grupin e shkollës “Skënderbeu”. Por, se e ka bërë një kërkesë të tillë, e mohon drejtori i Arsimit në Kamenicë, Afrim Dervishi, emri i të cilit u përmend në mesazhin e Ferizit.
Ai në një prononcim tha se kërkesën për fillimin e mësimit e ka bërë Këshilli i Prindërve dhe jo vetë ai.
“Këshilli i Prindërve ka thënë se unë jo. Këshilli i Prindërve janë takuar me drejtorët e shkollës e i ka thënë që “nesër i bijmë nxënësat”, por jo unë. Unë kam qenë në shkollë dhe ua kam dërguar disa portfolio dhe ua kam konfirmuar që Këshilli i Prindërve ka thënë ‘kështu kështu’, mu më pyetën a ke thënë kështu, iu thashë jo i kom dërgu portfolion me i bë gati për mësimdhënësit për kur t’ia fillojë mësimi”, tha Dervishi.
Ai foli për ‘gatishmërinë’ e mësimdhënësve në këtë komunë për të nisur procesin mësimor.
Në shkollat që ka nisë mësimi, mësimdhënësit na kanë thirrë me i shpërnda tekstet. Gatishmëria e mësimdhënësve nuk është për me fillu mësimi, por prindërit po thonë që kanë me i dërgu fëmijët në shkollë”, deklaroi ai.
Përkundër se nuk ka marrëveshje mes Qeverisë dhe sindikatave të Arsimit, Dervishi i komunës që e udhëheq Lëvizja Vetëvendosje, tha se sa i përket komunës së Kamenicës, mësimi po mbahet në katër shkolla fillore dhe në gjimnaz.
(Kosova Sot Online)
Kujtojmë që BSPK ka hyrë në grevë që nga 25 gushti, me kërkesën për ndarjen e 100 eurove deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat. Sot Kurti e Jasharaj i SBASHK-ut u takuan, mirëpo nuk pati ndonjë marrëveshje mes tyre.