Kosovë, Spanjë dhe Austri, 3 lëvizjet e misterioze të Ervis Martinajt para zhdukjes

  • A.P /
  • 14 September 2022 - 15:51
Kosovë, Spanjë dhe Austri, 3 lëvizjet e misterioze të Ervis Martinajt para zhdukjes

Kosova Spanja dhe Austria kanë qenë 3 vendet që ka vizituar Ervis Martinaj para se të zhdukej. Euroneës ka siguruar foton dhe të dhëna nga sistemi TIMS, ku para shpalljes në kërkim Martinaj figuron të ketë patur dalje të shpeshta në Kosovë.

Në këtë periudhë në rrugë operative policia disponon të dhëna për udhëtime të tij edhe drejt Spanjës e Austrisë.

Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani gjatë muajit maj në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK.

Familjarët thanë se kanë humbur cdo kontakt me Martinajt më 7 gusht. Policia e Shtetit sot nuk di ta thotë akoma, ore u vra apo nuk u vra. Duke e konsideruar situatën e krijuar me zhdukjen e Martinajt një telenovelë, kryeministri Rama i ka dhënë ultimatum Policisë së Shtetit, që të zbardhë misterin mbi fatin e të shumëkërkuari. Rama tha se është e papranueshme, që policia nuk di t’i thotë publikut nëse personazhi më i errët i botës së krimit është gjallë apo i vdekur.

“ Por Gushti që na solli dhe këtu ku jemi sot, ishte një befasi alarmuese. Një situatë e rënduar jo vetëm më vrasjet por dhe me disa shenja të tjera shqetësuese, pavarësisht se krahasimisht me vitet e mëparshme, me gjithë vrasjet e Gushtit ky është viti me numrin më të ulët. Por ky Gusht dhe çfarë ka ndodhur në këtë gusht duhet të shërbejë si shuplakë, dhe të na ngrejë në këmbë drejt objektivave më ambiciozë për Policinë e Shtetit. 

Si është e mundur që policia e shtetit ende nuk e ka një përgjigje për fatin e njërit prej figurave më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri. Është e papranueshme që mediat çdo natë janë bërë si Big Brother, jo u vra, jo nuk u vra ai që ishte shumë i kërkuar nga policia. Lajme me luanë, me bamirësa, me oligarkë, si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit Shqipëri. Policia nuk di ende ta thotë ‘ore u vra apo nuk u vra’. Kush e ka penguar ta thotë? Kjo dilemë duhet të marrë fund sa më parë. Nëse i kërkuari është vrarë t’i thuhet publikut që ky është vrarë. Nëse nuk është vrarë të gjendet, të kapet dhe t’i jepet drejtësisë ”, tha Rama.

Martinaj njihet si personazhi që mpleksi fortë krimin me institucionet shtetërore, kryesisht policinë, duke mos bërë më dallimin se ku mbaron mafia dhe ku fillon shteti.

(Kosova Sot Online)