
Arrestohet një person, dyshohet se shiste barna pa banderola të Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar një person, nën dyshimin se është përfshirë në veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Sipas njoftimit, i dyshuari është R.J, i moshës 45-vjeçare. Ai dyshohet se ka shitur barna pa banderola të Republikës së Kosovës.
“I dyshuari, ka arritur që të përfitojë materialisht dhe njëkohësisht ka rrezikuar shëndetin e pacientëve të cilët kanë konsumuar barnat e tilla. Barnatorja është kontrolluar nga Inspektorët Farmaceutik, kurse personi i dyshuar është shoqëruar në polici”, thuhet në komunikatë.
Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Komunikata e plotë:
Arrestohet një i dyshuar për përfshirje në veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”
Prishtinë, 14 shtator 2022
Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), gjegjësisht Njësiti Rajonal-Prishtinë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë (Departamenti i Përgjithshëm), pas trajtimit të informatave për një aktivitet kriminal, sot, më 14.09.2022 kanë arritur të sigurojnë të dhëna se R.J., (viti i lindjes 1977, mashkull kosovar), ka shitur barna pa banderola të Republikës së Kosovës.
I dyshuari, ka arritur që të përfitojë materialisht dhe njëkohësisht ka rrezikuar shëndetin e pacientëve të cilët kanë konsumuar barnat e tilla. Barnatorja është kontrolluar nga Inspektorët Farmaceutik, kurse personi i dyshuar është shoqëruar në polici.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”, i njëjti është intervistuar nga hetuesit policorë dhe me ‘Vendim mbi ndalimin’, lëshuar nga prokurori kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
(Kosova Sot Online)