
Financimet ruse rindezin përplasjen Berisha-Basha

Informacionet se Partia Demokratike e Shqipërisë ka përfituarrreth 500,000 Dollarë financime ruse në zgjedhjet e vitit 2017 duke iu referuar raportit të inteligjencës amerikane kanë “trazuar” sërish demokratët të cilët edhe këtë herë janë ndarë në qëndrime.
Ndër të parët që reagoi ishte vetë Lulzim Basha i cili mban peshën kryesore për këtë akuzë. Në një postim që ka bërë në rrjetin social “Tëitter”, Basha shprehet se PD nuk ka marrë asnjë financim të huaj aq më pak nga Rusia. Madje thekson se është krenar për marrëdhëniet që ka krijuar me SHBA-në.
“Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e plotë të Shqipërisë në BE.”- shkruan ndër të tjera Basha.
Pavarësisht se Basha i mohoi akuzat, kryetari i PD Sali Berisha kërkon që çështja e lobimit rus të rihapet nga drjetësia shqiptare megjithëse kjo e fundit e mbylli për mungesë provash. Që hetimi të hapet për veten e tij, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA për korrupsion të nivelit të lartë dhe minim të demokracisë, Berisha kërkon prova, mirëpo për Bashën i duken mjaftueshëm.
“Ne e konsiderojmë ndërhyrjen financiare për interesa malinje, që bien ndesh me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe orientimin e saj perëndimor, si një cënim flagrant të sovranitetit të vendit, nga një agresor që po lan në gjak popullin mik te Ukrainës. Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve. Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike.“- thuhet në një deklaratë të zëdhënëses së Rithemelimit.
(Kosova Sot Online)