
Bytyqi-Qeverisë: Ndëshkimi që po ia bëni popullit do ju kthehet keq

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi në fjalën e saj në Kuvend gjatë seancës drejtoi shumë kritika drejt kryeministrit Kurti dhe qeverisjen e tij.
Ajo tha se pas një pushimi ata u kthyen në seancat parlamentare, para se të kthehen nxënësit në bankat e tyre shkollore. Sipas saj, ata i kanë vazhduar pushimet verore pa na e ndalur askush rrogën e mëditjet, ndërsa arsimtarët e Republikës sonë, e shumë punëtorë tjerë të sektorit publik ishin pa paga e i morën ato me vonesa të gjata
“Mësuesit e kësaj toke, i dhanë gjithçka këtij vendi, në kushtet më të rënda për kohën, ata kanë punuar në forcat e tyre. Sot ata janë duke ushtruar një të drejtë që ua garanton ligji dhe kushtetuta e këtij vendi, janë duke mbajtur grevë si shumë qytetarë të vendeve evropiane që i realizojnë kështu këto të drejta. Ata janë në grevë për shkak të pakënaqësisë për pagat e ulëta tani kur inflacioni ka zhvlerësua vlerën reale të tyre thuajse për 50% e që në një qeverisje demokratike kjo do duhej të kuptohej më së miri’’, u shpreh ajo.
Bytyqi tha se kjo qeverisje ka probleme bazike me të gjitha hallet e qytetarëve të këtij vendi, sepse po këta, kanë probleme me vetën dhe akoma nuk po mund ta besojnë se keni mashtruar këtë sovran duke gënjyer e duke i marrë këto pozita që keni.
Por, siç shtoi më tej ajo, ndëshkimi që po ia bëjnë popullit do ju kthehet aq keq sa që kur të kërkojnë vota s’e gjeni askënd që ju beson.
(Kosova Sot Online)