Nxjerrja e zhavorrit ua merr jetën lumenjve në Kosovë

  • A.P /
  • 18 September 2022 - 17:36
Nxjerrja e zhavorrit ua merr jetën lumenjve në Kosovë

Kosova vlerësohet se ka resurse të kufizuara të ujit, por edhe ato, sipas Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), janë keqshfrytëzuar dhe ndotur.

Në raportin “Ndikimi i Shfrytëzuesve të Rërës dhe Zhavorrit në Gjendjen Mjedisore të Lumenjve”, i publikuar në muajin gusht të këtij viti, AMMK-ja ka konstatuar se shumica e lumenjve të Kosovës janë shkatërruar në atë masë, saqë riparimi i dëmeve është i pamundur.

“Shfrytëzimi i inerteve të lumenjve i ka kaluar të gjitha limitet e mundësisë natyrore që lumenjtë të kthehen në gjendjen e mëparshme”, thuhet në raport.

Shkatërrimi i shtretërve të lumenjve, sipas raportit, ka nisur në masë të madhe nga viti 1999.

“Lumenjtë tanë, pas vitit 1999 e këndej, pa përjashtuar të kaluarën e mëparshme, i janë nënshtruar një presioni të vazhdueshëm të eksploatimit dhe shfrytëzimit nga personat fizikë dhe juridikë [operatorët ekonomikë]”, thekson raporti.

Drini i Bardhë më i shkatërruari

Sipas tij, më i shkatërruari nga nxjerrja e zhavorrit rezulton të jetë lumi më i gjatë në Kosovë, Drini i Bardhë, prej 112 kilometrash.

Rel, më 16 shtator, ka vizituar këtë lumë në pjesën ku është më së shumti i dëmtuar – në afërsi të fshatit Krushë e Prizrenit.

Makineritë duke nxjerr zhavorr në Drinin e Bardhë.

Aty shihen shenja të makinerisë së rëndë, grumbuj zhavorri, gropa gjigande të shkaktuara nga nxjerrja e zhavorrit, si dhe dhjetëra makineri të tjera që përdoren për të thyer gurët për zhavorr.

Nxjerrja e zhavorrit nga lumenjtë është e ndaluar që nga viti 2016 përmes një Udhëzimi Administrativ. Por, pavarësisht kësaj, kamionët dhe ekskavatorët mund të shihen në afërsi të shtratit të Lumit Drini i Bardhë.

(Kosova Sot Online)