
Arrihet marrëveshja në Mal të Zi

Përfaqësuesit e ish-mazhorancës parlamentare të Malit të Zi u mblodhën sot përsëri me qëllim që të arrijnë një marrëveshje për formimin e Qeverisë së re.
Ng aky takim u arrit një konsensus, edhe pse ende mund të ketë ndryshime.
Kryetari i Demokracisë së Re Serbe dhe një nga liderët e Frontit Demokratik (DF), Andrija Mandiq, tha se partitë janë pajtuar për formimin e Qeverisë së re të Malit të Zi, me Miodrag Lekiq si të mandatuar për formimin e saj.
Sot është afati i fundit deri në të cilin presidenti Millo Gjukanoviq duhet të emërojë një mandatar për formimin e qeverisë.
Mandiq tha se deri në mesnatë Gjukanoviq do të njoftohet se Lekiq është mandatar, duke sqaruar se qeveria e ardhshme do të krijohet në bazë të barazisë – se gjysma e anëtarëve do të jenë nga radhët e LQ ABR, PSP dhe pakicave, ndërsa pjesa tjetër do tu takojë subjekteve të tjera.
Miodrag Lekiq, do të ketë të ashtuquajturën “votë të artë” për vendime.
Kryesia e Lëvizjes Qytetare ABR deklaroi se është e pranueshme për këtë parti që Miodrag Lekiq të jetë mandatar dhe që ministritë të ndahen sipas parimit “50-50” , ndërkohë që sektori i sigurisë të mbulohet nga kuadrot e koalicionit “E zeza në të bardhë”. Në këtë parti thonë se nuk kanë pranuar dorëzimin e nënshkrimeve, pasi Kushtetuta e Malit të Zi lë vend për interpretime të ndryshme, por e kanë bërë të qartë se vetëm Miodrag Lekiq është i pranueshëm si i mandatuar.
Kjo u konfirmua edhe nga Demokratët, të cilët njoftuan se LQ ABR dhe PSP nuk kanë dhënë nënshkrimet për përkrahje, por se deklarativisht janë për marrëveshje dhe se nuk e kanë problem të nënshkruajnë.
Lideri i Demos Miodrag Lekiq tha pas takimit se e ka për nder të jetë i mandatuar për formimin e qeverisë dhe se kjo demanton zërat se nuk ka vullnet për marrëveshje. Ai shprehu besimin se presidenti Millo Gjukanoviq nuk do të cënojë principet themelore të demokracisë.
(Kosova Sot Online)