
Zejnullahu e shuan zyrën për infermieri në QKUK

Ud. drejtoresha e SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi e ka shuar zyrën për infermieri në QKUK. Ish-udhëheqësja e kësaj zyre Lirije Beqiri e ka quajtur këtë vendim ‘degradim’ për punën e saj 16-vjeçare në këtë zyrë. Për këtë vendim kanë reaguar edhe sindikalistët.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës do të mbetet pa zyrë për infermieri. Kjo pas vendimit të ud.drejtoreshës së SHSKUK-së Pranvera Zejnullahu-Raçi, që t’i largojë nga kjo zyrë ish-koordinatoren Lirije Beqiri dhe zyrtaren Aferdita Berisha.
Beqiri ka treguar se këtë vendim e ka marr sot, por ajo nuk po pajtohet me të dhe e quan ‘degradim dhe denigrim’ të punës së saj 16-vjeçare në këtë zyrë.
“Me vendim të ud. drejtoreshës unë jam caktuar në shërbimin e logopedisë, por unë nuk jam logopede. Gjitha spitalet rajonale e kanë zyrën për infermieri, vetëm në QKUK është shuar kjo zyrë. Ne kemi shumë punë me palë, me infermierë të të gjitha njësive në QKUK dhe me studentë. Sot janë ndërprerë të gjitha punët me palë. Unë nuk jam pajtuar me këtë vendim, por nuk do ta pengojë. Megjithatë do ta shfrytëzojë të drejtën time për ankesë. Ky është një denigrim dhe degradim ndaj punës time mbi 16-vjeçare në këtë zyrë”, ka deklaruar Beqiri.
Ajo thotë se pas shfuqizimit të ogranogramit në vitin 2020, ishte caktuar në rolin e Përgjegjëses për laboratorin e mikrobiologjisë klinike dhe koordinatore e shërbimit të infermierisë gjatë kohës së pandemisë Covid-19.
(Kosova Sot Online)